Shkollat dhe spitalet me paratë e bashkisë
14/12/2004 Bashkitë do të kenë të drejtë të vënë në zbatim projektet për rehabilitimin ose ndërtimin e shkollave, spitaleve ose ambienteve publike, duke marrë përsipër paratë e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit. Ky delegim i të drejtave investuese është konsideruar si një hap përpara në decentralizimin e dy pushteteve, nga ministri Blushi. Por duket se thjesht delegimi i të ardhurave, nuk janë një motiv i mjaftueshëm për të besuar në decentralizimin, për deputetin Ridvan Bode, i cili ka deklaruar se ky buxhet nuk ka marrë në konsideratë nevojat e mëdha që kanë bashkitë dhe komunat për investime. “Ju keni parashikuar vetëm 1.9 për qind të GDP-së për pushtetin lokal, kur të paktën në 2003-shin ka qenë 1.93, pra këtë vit kemi menduar t’i jepni më pak”, ka deklaruar Bode gjatë fjalës së tij. Për Ridvan Boden, kopemtencat që i janë dhënë bashkive dhe fondet e vëna në dispozicion, nuk ndihmojnë në decentralizimin. Ndërkaq, Blushi ka deklaruar se pushteti vendor do të ketë probleme për sa kohë nuk ka kontroll të plotë mbi mënyrën se si jepen dhe përdoren paratë. “Sa kohë që nuk mundet të kontrollohen përdorimi i parave nga akordimi deri tek ata që vënë në zbatim projektet, atëherë ne do të kemi mospërputhje dhe njerëzit do të jenë të pakënaqur”, ka thënë Blushi. Në Buxhetin e vitit 2005, është parashikuar që rreth 170 komuna të cilësuara si më të varfërat e vendit, nuk do të trajtohen si komunat e tjera, por do të ndihmohen me buxhet suplementar, për të dalë nga gjendja e vështirë ekonomike dhe për t’u siguruar më shumë shërbime publike. Përplasja Blushi–Bode ka ardhur dhe për shkak të kompetencave që kanë bashkitë dhe varësinë e tyre ndaj pushtetit qendor. Për Blushin, projekti pilot i zbatuar në Bashkinë e Tiranës ishte shembulli më i mirë i menaxhimit të burimeve nga ana e bashkisë dhe e rritjes së kompetencave për të. “Delegimi i fondeve për ndihmat ekonomike dhe shpërndarja e tyre, ka rezultuar i suksesshëm dhe do të zbatohet në shumë bashki të tjera të vendit”, ka deklaruar Blushi. Ndërkaq disa taksa që deri dje janë konsideruar si taksa nacionale, do të bëhen taksa vendore dhe do të kenë të drejtën të mblidhen nga bashkitë, duke rritur buxhetin e tyre. “Kjo bën që në 2005-ën bashkitë të kenë mundësi të sigurojnë financimet e tyre në masën 65 për qind, nga 35 për qind që e kanë patur në 2004-ën”, ka mbrojtur Blushi, buxhetin e Pushtetit Vendor. Kështu mendohet se vetëm nga taksa mbi tokën, bashkitë do të sigurojnë një fond prej 300 milionë lekësh në 2005-ën, ndërkohë që Bashkia e Tiranës do të jetë objekt i një projekti pilot për t’i deleguar paratë e fondit të strehimit, në mënyrë që të prokurojë kompanitë e duhura për ndërtimin e pallateve që do t’u shpërndahen të pastrehëve.