E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE, kërkon nga qeveria mosaplikimin e ligjit

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Deklarata e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, për zbatimin e ligjit të dosjeve ka ngjallur reagimin e një organizmi ndërkombëtar në vendin tonë. Përfaqësuesi i Organizates së Sigurimit dhe e Bashkëpunimit Evropian (OSBE) në Shqipëri, Robert Bosh, ka qenë konkret dhe i ashpër në deklaratën për ligjin e lustracionit, duke i bërë thirrje qeverisë dhe Kuvendit shqiptar të mos hedhin asnjë hap për zbatimin e ligjit, pasi me ligjin duhet të njihen edhe ekspertët e OSBE. Sipas tij, BE do të shprehet për ligjin në Bruksel. Përfaqësuesi i OSBE në Tiranë, Bosh, pasi është njohur me qëndrimin e palëkundur të shtetit shqiptar për ligjin e dosjeve, të shprehur këtë radhë nga numri një i Parlamentit shqiptar, ka reaguar në një dalje publike, dhe ka kërkuar ndalimin e zbatimit të ligjit, që, zyrtarisht, ka hyrë në fuqi. Organizata e Sigurimit dhe e Bashkëpunimit Evropian në Tiranë, i ka kërkuar Parlamentit shqiptar që të mos ndërmarrë asnjë veprim për zbatimin apo ngritjen e Komisionit Parlamentar për verifikimin e dosjeve.
Bosh bëri thirrje që të mos bëhet asnjë veprim pa u dhënë vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që po shqyrton kushtetueshmërinë e ligjit në fjalë. Ai garantoi se ekspertë të OSBE dhe Këshillit të Evropës do të vijnë së shpejti në Shqipëri për t u informuar rreth ligjit të miratuar nga qeveria për dosjet e pastërtisë së figurës së zyrtarit. Përfaqësuesi i OSBE në Tiranë garantoi se eskpertët do të punojnë për problemet që shfaq ligji në përbërjen e tij. Bosh i kërkoi direkt qeverisë të mos ngurrojë, por të konsultohet me ndërkombëtarët dhe të mos hartojë më ligje të njëanshme. Po kështu, një konslutë, Bosh ka kërkuar edhe mes qeverisë dhe grupeve të interesit. Bosh e bëri të ditur këtë duke shtuar se diskutimi i ligjit shqiptar për dosjet e dikaturës do të shqyrtohet në zemër të BE-së, në Bruksel.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›