E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria të dëgjojë kritikat për lustracionin”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste ka reaguar ashpër ndaj vendimit të sotëm të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që vendosi për të hënën të miratohet komisioni i verifikimit të dosjeve. Deputetja Arta Dade theksoi sot se Topalli ka koncepte arkaike në drejtimin e saj, duke akuzuar mazhorancën se po tregohet e shurdhët ndaj kritikave të ndërkombëtarëve. Ajo i ka kërkuar mazhorancës që të marrë parasysh kërkesat e Komisionit Evropian për ligjin e dosjeve. Duke folur për veprimet e opozitës, Dade tha se ishin në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë ligj. Ligji i hapjes së dosjeve u miratua në fund të dhjetorit të vitit të shkuar vetëm nga votat e deputetëve të partive në pushtet. Ligji është kundërshtuar ashpër nga të gjitha institucionet perëndimore dhe opozita shqiptare. Këshilli i Evropes kërkoi nga qeveria shqiptare të mos nisë zbatimin e ligjit të dosjeve pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese. Në njoftimin e publikuar nga zyra e shtypit të Këshillit të Evropës citohen takimet që dy raportuesit e këtij Këshilli, David Uilshire dhe Jako Lakso, zhvilluan disa ditë më parë në Tiranë. Sipas deklaratës, ata e nxitën Gjykatën Kushtetuese dhe qeverinë ta paraqisnin ligjin e dosjeve në Komisionin e Venecias për të qenë të sigurt për përputhjen e tij të plotë me detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i Këshillit të Evropës.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›