E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laboratori jabanxhi

Frederiku drejton prej 20 vjetësh laboratorin e restaurimit, i vetmi që trajton dhe shpëton trashëgiminë materiale të të gjitha llojeve.


Ka tre muaj që zyrat e tij janë mbyllur nga familjarët Libohova. Kërkojnë qiranë dhe vetë objektin. Instancat nuk kanë përgjigje për zgjidhjen e problemit


Herë pas herë është trajtuar në shtyp se si Akademia e Shkencave dhe disa nga institucionet e saj që sot, pas reformës, kanë marrë tjetër varësi, prej vitesh iu paguajnë mijëra dollarë trashëgimtarëve të familjeve të vjetra për t'u "strehuar" në shtëpitë e tyre. Nuk ka pasur një Këshill Ministrash që të ketë marrë në konsideratë kërkesat për godina të reja.


Sot flasim për një bërthamë laboratori restaurimi me një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të pavlerësuar. Me përjashtim të ikonave dhe monumenteve kulturore që ngrihen në natyrë, në duart e Frederik Stamatit dhe atyre pak punonjëseve të tij që vetëm ua kanë shkurtuar vendet e punës, ka kaluar e gjithë trashëgimia materiale kulturore monedha, e qeramika të lashta, objekte bronzi dhe hekuri, heshta e mburoja, dantella e shajakë, flamuj dhe këmisha heronjsh.


Ka tre muaj që Frederikun e kanë nxjerrë jashtë. Kush e njeh këtë njeri punëtor e të aftë, e beson që ai të thotë "mirë na e bënë". Edhe që i dhimbset një ditë më shumë pa punë në atë laborator të mënxyrshëm (ku duhet të kesh frikë edhe nga zvarranikë helmues) brenda shtëpisë së Toptanëve që sot kërkojnë t'u kthehet. Kjo situatë ka tre muaj dhe Frederiku nuk ka ngritur zë, jo ngaqë ka frikë dhe është nëpunës i nënshtruar. Janë disa dhjetëra shkrimet problematike që ai ka ngritur në shtyp.


Ai i përket asaj race në zhdukje nëpunësish që beson në të drejtat dhe detyrimet që ka shteti ndaj trupit të vet, administratës shtetërore dhe funksionit të saj për t'i shërbyer sot memories së kombit.


Pasi pronarët përzunë punonjësit e Laboratorit dhe i vunë zinxhir derës, drejtori i QSA, Ardian Marashi, i është drejtuar kryeministrit dhe ministrit të Kulturës për zgjidhjen e problemit. Marashi tha dje për gazetën se akoma nuk ka marrë një përgjigje "me shkresë e vulë". Ndërkohë kryeministri po kërkon reformë në sistemin e trashëgimisë.


Zoti Stamati, sa kohë u bë që s'keni hyrë në laborator?


Tre muaj, që kur pronarët e mbyllën derën me zinxhir.


Jeni paralajmëruar?


Ka vite që vijnë të kërkojnë qiranë dhe ne i kemi adresuar te institucionet prej të cilave varemi, dje nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Kulturës Popullore, sot nga Qendra e Studimeve Albanologjike.


Kush i përfaqëson njerëzit që ju kanë lënë jashtë?


Janë pronarët, familja Libohova. Pas viteve nëntëdhjetë ata e rifituan shtëpinë me vendim gjyqi sipas ligjit për kthimin e pronave të konfiskuara nga shteti shqiptar i pasluftës.

Sa qira paguhej për Laboratorin që ju drejtonit?


Për gjithë ndërtesën ku dikur strehohej edhe Qendra e Studimeve Gjeografike, Akademia e Shkencave paguante 1000 $ në muaj. Me sa di unë kishte pesë vjet që kjo qira nuk paguhej më.


Familjarët Libohova erdhën tek ne në fillim të këtij viti dhe ne i drejtuam në QSA. Bisedat me ne kanë qenë të qeta. Unë i njoh dhe i vizitoj familjet Libohova dhe Toptani. Kam restauruar objekte me vlerë të koleksionit të tyre. Në njëfarë mënyre, me strehimin e Qendrës së Studimeve Gjeografike dhe Laboratorit, ndërtesa është ruajtur, çatia u bë e re.

Ju jeni i vjetër në atë ndërtesë.


Në këtë ndërtesë jemi futur nga e keqja më 1987, sepse nuk është ndërtesë për laborator. Nuk ka as hapësirën, as ndriçimin e duhur. Shkurt këto s'janë kondita për punë.


Qeveria duhet të japë një zgjidhje. Por gjetja e një ambient i ri, zbatimi i një projekti për laboratori, çmontimi dhe montimi i tij, kanë një kosto.

Çfarë ka të kushtueshmë kjo?


Vetëm makina e pastrimit kimik ka në themele e veta një kamion beton. Instalimi i energjisë elektrike, kapat e aspirimit me linjat e tyre të shumëfishta, janë punë më vete që kërkojnë kohë dhe kujdes.


Përse u mahisën punët?


Para disa vitesh na propozua në ambjentet e INSTAT-it një hapësirë 46 m2. Mendojeni pak! Këtu ku ishim laboratori shtrihej në 400 m2. Më kuptoni drejt, unë nuk kam asnjë nostalgji për t'u kthyer në atë ambjent. Jua thashë, kemi punuar për më shumë se njëzet vjet në një laborator pa kushte, të improvizuar.


Kush e ka përgjegjësinë?


Ai që nuk kuptojnë problematikën. Ky laborator ka qenë gjithnjë në varësi të strukturave që nuk kanë lidhje me funksionin, qëllimin dhe misionin e të vetmit laborator në Shqipëri që trajton, restauron trashëgiminë kulturore.


Me krijimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike Laboratorit iu hoq edhe përgjegjësi.

Ju keni luftuar dhe propozuar publikisht për krijimin e një Laboratori Qendror të Restaurimit. Kurse tani ndodh kjo gjë e mjerueshme që zhvlerëson rezistencën që keni bërë deri më sot dhe ia zë vendin mirënjohjes që meriton puna juaj.


Nuk më mbetet veçse të shpresoj në një zgjidhje të çështjes që do të japin institucionet. Sipas platformës për reformë propozuar në sistemin e trashëgimisë kulturore, në strukturën e Institutit të Trashëgimisë Kulturore, që mendohet të krijohet në kuadër të reformës së propozuar në sistemin e trashëgimisë kulturore, është parashikuar ngritja e Departamentit të Laboratorëve me 6 punonjës: një përgjegjës departamenti dhe 5 specialistë laboratori.


E theksoj: ky laborator duhet të fitojë pavarësi. Vetëm duke qenë më vete, do të jetë më i fuqishëm se kaq dhe ç'është më e rëndësishmja nuk do të jetë i kushtëzuar nga politika e instancave që nuk kanë lidhje me funksionin e tij.


Çfarë gjëje me vlerë keni lënë në laborator?


Nuk mund të flas për këtë.

Për të ndërgjegjësuar ata që kanë në dorë të bëjnë diçka.


Nëse do ta thosha vetëm do të nxisnim hajdutët dhe keqbërësit. Aktualisht atë objekt nuk e ruan njeri. Nuk ka roje.


Pronarët që na kanë përzënë kanë të drejtën e tyre. Qeveria duhet të reflektojë për trashëgiminë e atyre objekteve që nuk restaurohen për shkak se puna është ndërprerë në laborator prej 3 muajsh.

Ku po punoni?


Po merremi jo me objektet që duhen, jo me gjëra urgjente, sepse ato më urgjentet bëhen në laborator.


Rast për precedent


Akademia e Shkencave, godina e saj qendrore, Qendra e Studimeve Gjeografike, ish Instituti i Kulturës Popullore, pas vitit 1995 kanë paguar pothuajse rregullisht detyrime ndaj qiradhënësve, pronarëve të ndërtesave dhe truallit, trashëgimtarëve të disa prej familjeve më të vjetra në Tiranë, konkretisht Toptani, Libohova dhe Kallçiu.


Në vitin 2003, ASh paguante për strehimin e saj një qira mujore 2700 dollarë, të cilën pronarët Toptani, pjesëmarrës janë rreth 49 trashëgimtarë, kërkuan ta rrisnin në 6000 dollarë, dhe më 2005 deri në 9200 euro. Kjo shifër nuk është pranuar asnjëherë. Megjithatë nuk është çudi që një ditë edhe ASH të vihet në pozitën e njeriut që duhet të mbledhë plaçkat.


Objekti


Laboratori i Restaurimit dhe Arkeometrisë bashkë me Qendrën e Studimeve Gjeografike u vendos në vitin 1986 në një nga shtëpitë më të bukura të Tiranës së vjetër, që njihet si shtëpi e Toptanasve. Në fakt pronare e saj ka qenë Qanie Libohova. Është ndërtuar në fillim të shekullit të 19 dhe është Monument Kulture i kategorisë së parë. Shtëpia është djegur njëherë nga Haxhi Qamili.


Për 8 vjet deri në vitin 1992, kur u rinjohën pronarët e shtëpisë, Qendra e Studimeve Gjeografike nuk paguante qira. Që nga ai moment qiramarrësit e këtij institucioni në varësi të Akademisë së Shkencave, fillojnë të paguajnë qira që rritet gradualisht nga 25 mijë lekë (të reja) deri në 80 mijë lekë.


Qiraja është paguar rregullisht deri në momentin kur u krijuan ambjente të lira në godinën tjetër të Akademisë së Shkencave, pranë ambjenteve të INSTA-it, të cilat iu ishin lënë me qira INIMA-s italiane. Aty vazhdoi të strehohej deri në prill 2010 Laboratori i Restaurimit dhe Arkeometrisë që ndodhet në varësi të Qendrës së Studimeve Albanologjike.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›