PDS, sezoni turistik, qeveria të marrë masa
“Aksidentet me pasoja tragjike të ditëve të fundit në akset rrugore, dëmtimet e shumta në infrastrukturën rrugore, tejkalimet e afateve të përfundimit të punimeve në disa prej akseve rrugore, që lidhin zonat turistike me qendrat urbane, si dhe mungesa totale e sinjalistikës paralajmëruese përgjatë këtyre akseve, kërkojnë zgjidhje të menjëhershme”- tha Artur Duçkallari, Sekretari Politik i Partisë Demokracia Sociale. Deklaratat e tij vijnë sot në një konferencë për shtyp ku ai ka akuzuar qeverinë se nuk ka marrë masat e duhura për sezonin turistik verë 2008. Duçkallari tha se ‘edhe sot pothuajse në të gjithë vendin janë organizuar me pompozitet shfaqjet qeveritare për çeljen e sezonit të ri turistik, strukturat shtetërore dhe veçanërisht ato të Rendit e Ministrisë së Turizmit ende nuk ka një plan të detajuar e të koordinuar masash për të garantuar sigurinë e mijëra pushuesve nga Kosova, maqedonia apo dhe emigrantëve që priten të kthehen nga Greqia’. Megjithatë kjo është qeveria e mashtrimeve që nuk mban premtimet ka nënvizuar ai.