E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritol Urës së Bërdharit, dëmtohen dhjetë shtëpi

Rruga e dëmtuar nga shpërthimi

FUSHE-KRUJE – Një sasi e konsiderueshme eksplozivi është vendosur në urën e Bërdharit në fshatin Luz të Bashkisë së Fushë-Krujës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës, mësohet se lënda plasëse ka shpërthyer në orën 02:25 të mëngjesit të djeshëm. Si pasojë e shpërthimit, ura ka dalë jashtë funksionit, ndërsa dhjetë banesa, të cilat ndodhen përreth saj, janë dëmtuar. Sipas Shkëlqim Bardhit, banor i cili ka shtëpinë më pranë urës, bashkë me familjen e tij ka qenë në gjumë kur është dëgjuar shpërthimi i fuqishëm. Tavani i shtëpisë dhe xhamat e dritareve kanë rënë mbi krevat, duke shkaktuar jo vetëm tek ne, por edhe tek fëmijët një lemeri të tmerrshme. Shtëpia u mbush e tëra me mjegull dhe erën e rëndë të eksplozivit, ndërsa të qarat e fëmijëve mbuluan shtëpitë të cilat janë prekur nga shpërthimi. Nuk janë pak, por dhjetë banesa që janë dëmtuar e askush as nuk ka ardhur për të na thënë shyqyr që shpëtuat, jo më të na llogarisin miliona lekë dëme. Të paktën të mbajmë shpresë që një ditë krimineli që ka vendosur tritolin do të zbulohet dhe do të dëmshpërblejë edhe dëmet ekonomike, u shpreh Bardhi. Sipas tij, kjo ngjarje duket që ka lidhje me shpërthimet e mëparshme kundër Fabrikës së Çimentos dhe se shteti duhet të bëjë të pamundurën për të gjetur autorët.  Policia e Krujës ka mbërritur në vendin e ngjarjes pak minuta pas shpërthimit, duke devijuar lëvizjen e mjeteve, të cilët lëviznin në drejtim të Mamurrasit dhe anasjellas. Ura lidh Fushë-Krujën me zonën veriore, pasi i përket rrugës së vjetër nacionale, në të cilën kalojnë dhe mjetet e Fabrikës së Çimentos. Policia ka shoqëruar dhjetë persona në rajonin e policisë së Fushë-Krujës, por deri tani nuk ka mundur të gjejë autorët e ngjarjes.                 r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›