E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laçi kërkon Partizan sulmues, ofertë gjirokastritit Nora

Nga ILIR CARA

Aksionari Paro Laçi, pohon se për të fituar besimin e humbur, lojtarët do të marrin 30-40 % të kontratës financiare,  sapo të firmosin për të kuqtë e kryeqytetit

Aksionari i të kuqve Paro Laçi po tregohet aktiv, pasi synon në ngritjen e një Partizani, që të mos e diskutojë ngjitjen në Superligë. Por më parë ai pret një fjalë të prerë nga ortaku i tij, Albert Xhani, i cili ende nuk i është përgjigjur kërkesës së tij për të bërë një takim, nga ku do të vendoseshin pikat mbi i.

Laçi në prononcimin e djeshëm për Sportin shqiptar rithekson se,  përpos mosmarrëveshjeve që ka me Xhanin, probleme të trashëguara, është për një bashkim dhe bashkëpunim. Laçi pohon se ai nuk kërkon shumë gjëra nga ortaku i tij, pret vetëm një fjalë të mirë, që të mos bëhet pengesë për ringritjen e legjendës së futbollit shqiptar.

Për ta realizuar këtë gjë Paro Laçi kërkon një Partizan luftarak, i cili në përbërje të ketë sulmues kualitativ dhe me eksperiencë, Për momentin synimet e Laçit janë që nën uniformën e kuqe të veshë golashënuesit më të mirë të Kategorisë së Parë në sezonin e fundit. Mësohet se aksionari i kuq ka hyrë në bisedime me disa sulmues dhe ofertën e tij ia ka bërë edhe gjirokastrit Arlind Nora.

Por përveç Norës në listën për të përforcuar repartin ofensiv janë edhe Rraboshta, Ivanaj, Buliç, si dhe sulmuesi i Kamzës në edicionin e fundit, Guido Tepshi.

E kam thënë që në fillim që po punojmë për të ngritur një Partizan të fortë, por që të jetë i tillë duhet të jemi kualitativ në sulm. Jam në bisedime me disa futbollistë, si Nora, Rraboshta, Ivanaj, Buliç, Tepshi etj. Gjërat janë në rrugë të mbarë, por të qetë do të jemi vetëm kur ata të hedhin firmën.

Për një gjë jam i sigurt që këtë sezon te Partizani do të ketë konkurrencë të madhe, madje ajo do të jetë edhe se kush do të përfshihet në 18-she. Duke pasur konkurrencë brenda grupit, jemi të sigurt për të realizuar objektivat,- u shpreh aksionari i të kuqve, Paro Laçi.

Rritja e besimit Dëshira e shumë futbollistëve është që të veshin fanellën e kuqe, pavarësisht kategorisë ku bën pjesë, por pengesë është bërë vetëm humbja e besimit, pasi prej katër vitesh financat kanë qenë problematike, ndonëse nuk kanë munguar premtimet.

Aksionari Laçi për të fituar besimin e lojtarëve pohon se në momentin, që lojtarët do të firmosin, ata do të marrin 30-40 % të shumës cash në dorë që në fillim. Dihet se është e vështirë që të fitohet besimi, gjë e cila u ngjall disi nga ministria në sezonin e fundit.

Prandaj për ta fituar këtë besim kemi menduar se lojtarët që do të nënshkruajnë për Partizanin, 30-40% të shumës ta marrin në dorë në momentin e hedhjes së firmës. Ndërsa pjesa tjetër do të jepet e ndarë në rroga mujore. Po u jap një shembull konkret. Me portierin Ervin Llani thuajse e kemi mbyllur, nëse ai nuk firmos në Slloveni, ku do të kryejë një provë.

Llanit i kemi premtuar se në momentin që do të firmosë do të marrë në dorë 40% të shumës. Pak a shumë në këtë mënyrë do të veprohet edhe me të tjerët. Por Partizani prurjet i pret edhe nga të rinjtë, të cilët u shpallën kampion në Kategorinë e Parë. Padyshim që disa prej tyre do të afrohen tek ekipi i parë.

Jemi për një rithemelim të akademisë, ku do ti jepet fund abuzimit, që është bërë me futbollistët e dalë nga ekipet e moshave. Boll kanë bërë qejf ekipet e tjera duke marrë falas talentet e kuq,- përfundon aksionari i Partizanit, Paro Laçi.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›