Sekuestrohen aksionet e Xhanit tek Partizani, shiten për 6 milion
Për shkak të borxheve që ka ndaj të tretëve, me vendim gjykate, sekuestrohen aksionet e Albert Xhanit dhe dalin në shitje për 6 milionë lekë të vjetra
Nga ILIR CARA
Gjatë kohëve të fundit te Partizani zhvillimet kanë qenë të shumta, ku vetëm para 10 ditësh Gjykata e Apelit vendosi që logoja e klubit ti mbetej shoqërisë së administruar nga Albert Xhani dhe jo Ministrisë së Mbrojtjes. Por problemet e Partizanit nuk kanë të sosur, kjo për vetë të shkuarën sepse ka një mal me borxhe të trashëguara, kryesisht nga presidenti Albert Xhani. Por lajmi i fundit që vjen nga Partizani është se pas disa vendime të gjykatave, ku palë të treta kanë paditur Albert Xhani për borxhe të pakthyera, është vendosur sekuestrimi dhe nxjerrja në shitje e aksioneve që ai zotëron tek shoqëria aksionare Partizani sh.a.. Mësohet se me këtë çështje po merret një zyrë përmbarimi private, ZIG, e cila do të zbatojë vendimin e gjykatës, si dhe një vendim të formës së prerë të Përmbarimit. Pikërisht bëhet fjalë për një vendim të gjykatës së datës 21 shkurt 2012 me Nr 2485, ndërsa dy muaj më pas ka një vendim të formës së prerë të Pëmbarimit për sekuestrim të aksioneve të Albert Xhanit, që ka tek shoqëria tregtare Partizani sh.a.. Pra i bie që për momentin Albert Xhani të mos jetë aksionar i Partizanit, pasi paktën me 60% të aksioneve i ka Përmbarimi. Mësohet se zyra e përmbarimit privat ZIG, që po merret me këtë çështje do të hapë një ankand për shitjen e aksioneve që zotëron Albert Xhani tek Partizani. Çmimi fillestar i hapjes së ankandit mendohet të jetë 6 milionë lekë të vjetra, shumë e cila Xhani i detyrohet palës, që kërkon borxhin e pakthyer nga ai. Mbetet për të parë nëse në këtë ankand do të ketë prioritet parablerje ortaku i tij në shoqërinë aksionare, Paro Laçi, i cili zotëron 40 % të aksioneve. Padyshim lëshimi që i bëri Ministria e Mbrojtjes Partizanit nuk u prit mirë nga tifozët e kuq, pasi dëshira e tyre ishte që të ndryshonin faqe dhe të mos kishin të bënin me të shkuarën e hidhur. Se kush do të jetë Partizani i ri, gjithçka varet nga personi, që do të blejë paketën e aksioneve që zotëron Albert Xhani, paketë e cila është dominuese me 60%.