E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lacio – Juve, yjet në rrezik

Në fillim shpina, tani një problem në kofshën e majtë: sezoni për Aleks Del Pieron ka nisur nën shenjën e dëmtimeve. Pas fazës parapërgatitore pa shënuar asnjë gol, kapiteni i Juventusit i ka ndjekur nga stoli dy ndeshjet e para të kampionatit dhe rrezikon ta bëjë një gjë të tillë edhe në ndeshjen e së shtunës në mbrëmje kundër Lacios.

Por në dyshim është edhe sulmuesi i Lacios, Mauro Zarate, i cili vuan nga një kontrantim muskulor.
Në shtëpinë bardhekaltër janë të shqetësuar, pasi argjentinasi nuk është stërvitur së bashku me pjesën tjetër të grupit. Sipas të dhënave të para, ky dëmtim nuk do të jetë pengesë për Zaraten për të zbritur në fushën e lojës për ndeshjen kundër Juventusit.

Më shqetësuese duket situata për kapitenin e “Zonjës”. Del Piero ende nuk është përmirësuar dhe të hënën, pasi ka shkëmbyer disa pasa me Diegon dhe Amaurin, i është dashur të rikthehet në palestër me përgatitësin atletik personal Bonokore.

Sulmuesi italian nuk do të jetë i gatshëm në ndeshjen e së shtunës dhe tani objektivi i stafit mjekësor të Juventusit është ta riaftësiojnë kapitenin për ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve kundër Bordosë më 15 korrik në Torino.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›