Zukorliç: Sanxhaku po shndërrohet në vatër krize
Myftiu i krahinës së Sanxhakut, Muamer Zukorliç, deklaroi se regjimi i Beogradit me sjelljet e tij injoruese mund të shndërrojë Sanxhakun në vatër lufte.
“Në rast se porositë politike të kreut serb shkojnë në drejtimin e mosbesimit tonë, atëherë është shumë rëndë për të vendosur stabilitetin në këtë rajon. Tanimë janë gjasat e mëdha që Sanxhaku të shndërrohet në Kosovë të re, për shkak të sjelljeve të tilla. Gjithçka është njëlloj sikur Millosheviçi vepronte në Kosovë”, deklaroi Zukorliç në intervistën për gazetën “Dnevnik” të Novi Sadit.
Ai theksoi se, për shkak të sjelljeve të tilla injoruese ndaj komuniteteve në Sanxhak, janë shtuar kërkesat për një autonomi të plotë të Sanxhakut nga Serbia, që sipas tij, ka edhe një bazë historike dhe kushtetuese. “Ne kërkojmë pushtet në kuadër të Kushtetutës, sepse dua të rikujtojë se akti më i lartë i Serbisë parashikon mundësinë e formimit të autonomive të reja”, - sqaroi Zukorliç, i cili nënvizoi se me kërkesat e tij do të prezantohet para institucioneve dhe opinionit ndërkombëtar, pasi që pushteti serb nuk përfillë kërkesat e tyre.
Zukorliç thekson se do të nis një fushatë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Sanxhakut në Serbi. Ai shtoi se nuk ka qëllim të formojë parti politike, por autoriteti tij i krijon mundësi që të shprehë mendime dhe alternative politike për zgjidhjen e çështjes së popullit të tij në Sanxhak.