E Diel, 1 Nëntor 2026

Superiorja, Vllaznia mund Skënderbeun, Laçi merr tri pikë në Elbasan

Skënderbeu pësoi humbjen e katërt në transfertë. Elbasani mbetet i fundit në kuotën e 9 pikëve

Dy ndeshjet e së dielës, në kuadrin e javës së 15-të të Superligës, kanë dhuruar emocione të shumta, teksa kurbinasit kanë fituar në Elbasan, ndërsa Vllaznia ka përmbysur epërsinë e miqve korçarë, të minutës së 33-të, kur argjentinasi Soza ka realizuar në portën e Grimës. Një javë, ku dy kryesuesit, Flamurtari dhe Skënderbeu, janë ndalur në transfertë

Vllaznia - Skënderbeu

Ndeshja e “Loro Boriçit”, ku triumfuan vendasit, ka qenë mjaft e bukur. Tri pikët përballë Skënderbeut kanë qenë mjaft të bukura për shkodranët, duke qenë se kanë ardhur pas golit të shënuar prej Sozës. Argjentinasi i Skënderbeut ka shënuar golin e vetëm të kuqebardhëve, në minutën e 33-të, duke e mbyllur kështu me fitore pjesën e parë. Në të dytën Vllaznia u shfaq tepër kërkuese dhe synoi me çdo kusht të barazojë. Një gjë të tillë e bëri në minutën e 57-të, me anë të kosovarit Ilir Nallbani. Këtu nis edhe kthesa e madhe e kuqebluve, që arritën të gjenin edhe golin e dytë dhe atë të fitores me anë të Vajushit, i ndihmuar edhe nga devijimi i Fagut të Skënderbeut, në minutën e 65-të. Korçarët u shokuan dhe nuk u besuan syve, teksa ndien shijen e një tjetër humbjeje në transfertë, një pikë mjaft e dobët e skuadrës korçare kjo. Me këtë sfidë të humbur, Skënderbeu tregoi se nuk është në gjendje të përfitojë nga hapat falsë të rivalit të drejtpërdrejtë për titull, deri më tani, Flamurtarit (në Ballsh). Pavarësisht se në ndeshjen me Vllazninë i janë rikthyer edhe disa lojtarë të dëmtuar, titullarë, ndër të cilët edhe kapiteni Shkëmbi, skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça nuk ka mundur të bëjë diferencën, duke mos dalë sërish në skenë si pretendente reale dhe e plotë për titull. Luhatjet e shumta të juglindorëve tregojnë se objektivat e proklamuar nga drejtuesit e tyre janë më shumë produkte mediatike, se sa punë serioze dhe profesionale e trajnerit Shkëlqim Muça dhe të besuarve të tij, që në kushtet e pagesave të majme duhet të mbajnë përgjegjësi. Sepse, një skuadër që fiton vetëm ndeshjet në shtëpi, më e shumta ka të sigurt mbijetesën, ndërkohë që për t’u shpallur kampion, sikurse aspiron Skënderbeu, i duhen patjetër fitore në transfertë, aq më tepër me rivalë të fortë, si Vllaznia. Nga ana e vet, kuqeblutë konfirmuan momentin e artë që po kalojnë, futen tashmë fuqishëm në vorbullën e pretendentëve, bashkë me Tiranën, duke e bërë edhe më të fortë luftën për titull këtë edicion.

Elbasani-Laçi

Në Elbasan kanë triumfuar miqtë nga Laçi, që falë gabimeve të portierit vendës, Dushku, i zëvendësuar në fillimin e pjesës së dytë me Llanin, kanë arritur të realizojnë plot 3 gola në pjesën e parë, me anë të Marashit (4’), Buljanit (41’) dhe Hysës (42’). Duke superuar kësisoj golin e Sadikut, në minutën e 24-t, që erdhi si një barazim i përkohshëm i verdhebluve. Pjesa e dytë ka regjistruar edhe një gol të dytë për vendësit, me anë të Endri Dalipit, në minutën e 66-të, por vetëm kaq. Sepse kurbinasit, me në krye portierin Vashaku, një hero i vërtetë në evitimin e golave të Elbasanit, kanë mbrojtur rezultatin 3-2 në favor të tyre, duke dalë me 3 pikë nga “Ruzhdi Bizhuta”. Elbasani, nga ana e tij, u mundua shumë në pjesën e dytë, veçanërisht që të merrte një barazim, të paktën, por nuk ia doli me sukses, duke mbetur sërish i fundit në klasifikim, me vetëm 9 pikë, ndërkohë që situata në klubin verdheblu bëhet akoma më e nderë, edhe për shkak të problemeve të thella financiare.

Ndeshjet 

17.12.2010

Tirana-Kastrioti 4-0

Pejiç 9’, 38’, Plaku 82’, Lila 90’

18.12.2010

Teuta-Besa 1-2

Dosti 26’/ Velija 81’, Cikalleshi (85’, p)

Bylis-Flamurtari 1-0

Kepi 58’

19.12.2010

Vllaznia-Skënderbeu 2-1

Nallbani 57’, Vajushi 65’ / Soza 33’

Elbasani-Laçi 2-3

Sadiku 24’, E.Dalipi 66’ / Marashi 4’, Buljan 41’, Hysa 42’

Sot

Shkumbini-Dinamo

Renditja

                Nd     Pikë

1 Flamurtari    15      31

2 Skënderbeu  15      28

3 Vllaznia      15      27

4 Tirana        15      25

5 Dinamo       14      24

6 Teuta         15      21

7 Laçi           15      20

8 Shkumbini   14      17

9 Kastrioti     15      17

10 Bylis         15      15

11 Besa         15      12

12 Elbasani     15      9

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›