Artet, ndryshojnë pikët e Maturës dhe konkursit
Ndryshon raporti i pikëve Maturë-Konkurs për të gjitha degët e Akademisë së Arteve, që, duke filluar nga viti i ri akademik, do të jetë Universiteti i Arteve. Kështu, ndryshe nga më parë, kur në procesin e llogaritjes së pikëve, Matura është vlerësuar me 20% të tyre, ndërsa konkursi me 80%, këtë vit, Ministria e Arsimit ka vendosur që të rrisë me 10% peshën e pikëve të Maturës për konkurrentët e Akademisë së Arteve. Sipas urdhrit të firmosur së fundi nga rektori i Universitetit të Arteve, Petrit Malaj, në zbatim të udhëzimit të MASH “Për zhvillimin e konkurseve të pranimit, tarifën e regjistrimit për konkurrim në disa programe studimi të ciklit të parë me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë, viti akademik 2011-2012”, në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Arteve, rezultatet e shkollës së mesme llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70%. Me rezultate të shkollës së mesme do të kuptohet nota mesatare e katër ose pesë viteve të shkollimit dhe katër provimet e Maturës Shtetërore. Në urdhrin e rektorit Malaj janë detajuar edhe procedurat që do të ndiqen për pranimet e reja të studentëve në Universitetin e Arteve (UART). “Pranimet në vitin akademik 2011-2012, në të gjitha programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, në Universitetin e Arteve bëhen në bazë të rezultateve të Maturës Shtetërore dhe rezultateve të fituara nga konkursi i pranimit, i organizuar nga UART. Numri maksimal i pikëve të konkursit, për të gjitha programet e studimit të UART është 240 pikë, sipas përcaktimit nga MASH. Numri minimal i pikëve të konkursit, për të gjitha programet e studimit të UART, është 60 pikë, sipas përcaktimit nga MASH. Kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën e studimit”, përcaktohet në urdhër. Për të marrë pjesë në konkurse, kandidatët që kanë kërkuar në Formularin A2 programet e studimit në UART, si edhe kandidatët shqiptarë që do të marrin pjesë në konkurset e pranimit për këto programe studimi nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi dhe nga Lugina e Preshevës, duhet të regjistrohen pranë sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës, duke filluar që nga data 16 gusht deri në orën 12.00 të datës 27 gusht 2011. Lista e konkurrentëve për konkurset e pranimit do të jetë lista e dërguar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP). Kjo listë do të dërgohet nga AKP në MASH në datën 15 gusht 2011, në formë të shkruar dhe elektronike. Sekretaritë mësimore të fakulteteve të UART do të verifikojnë deri në datën 27 gusht përputhshmërinë e listës së kandidatëve të regjistruar për konkurrim me listën e dorëzuar nga AKP. Në datën 27 gusht 2011, ora 12.00, sekretaritë mësimore të secilit fakultet të UART do të shpallin listat e konkurrentëve të regjistruar si dhe do t’i afishojnë ato në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve përkatëse.