Lejet mjedisore, pezullohen punimet te Botaniku
Pezullohen punimet pranë Kopshtit Botanik, që po kryhen për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Një ditë pasi e paralajmëroi një gjë të tillë, Ministria e Mjedisit ka vendosur pezullimin e punimeve të dy firmave që kanë nisur prej disa ditësh punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe te Kopshti Botanik, pasi ato nuk kanë qenë të pajisura me leje mjedisore. Ky fakt bëhet i ditur nga zëvendësministri i Mjedisit, Arben Demeti, i cili pohon se asnjë nga këto firma nuk kanë leje mjedisore dhe plotësimi i dosjeve për të marrë këtë leje mund të kërkojë një procedurë të gjatë. “Inspektorët tanë kanë bërë ndërhyrjet dhe kanë pezulluar punimet, derisa procesi i dhënies së lejes mjedisore të përfundojë. Ne do të bëjmë një konsultim të gjerë me faktorë të shoqërisë civile dhe me faktorë të tjerë dhe më pas do të përcaktojmë edhe kushtet përkatëse të lejes përfundimtare të mjedisit”, - deklaron Demeti. Përsa u përket kritereve që duhet të plotësojnë dy firmat e ndërtimit për t’u pajisur me leje mjedisore, numri dy i Mjedisit sqaron se minimalisht këto firma duhet të kompensojnë dëmin mjedisor që do të shkaktojnë në Kopshtin Botanik, në një sipërfaqe tjetër. “Në rastin konkret padyshim të gjithë jemi të ndjeshëm se Kopshti Botanik është unik për Shqipërinë dhe duhet të minimalizojmë dëmet ndaj tij”, - theksoi Demeti. Vendimi i fundit i Ministrisë së Mjedisit për pezullimin e punimeve pranë Botanikut vjen një ditë pasi vetë kreu i këtij dikasteri deklaroi se që prej ditës së premte të javës së kaluar po merret me verifikimin e dokumentacionit dhe, nëse subjektet nuk kanë leje, aktiviteti do të pezullohet. Nëpërmjet vendimit për pezullimin e punimeve, ministri i Mjedisit, që është edhe drejtuesi i dikasterit që jep lejet mjedisore, nga njëra anë ka mbështetur shqetësimin e ambientalistëve për ruajtjen e Botanikut, ndërkohë që nga ana tjetër ka dalë kundër ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi., që është kreu i institucionit që po drejton punimet. Tashmë debatet për Kopshtin Botanik kanë marrë një tjetër kah, dhe nuk janë më vetëm midis qeverisë edhe opozitës, por edhe midis dy ministrave të kabinetit “Berisha”, atij të Mjedisit dhe ministrit të Transporteve. Ndërtimi i Unazës së Madhe, e cila do të shtrihet në një gjatësi prej 5 deri në 6 kilometra është ndarë në tre segmente. Në segmentin e parë, që nis nga Shkolla e Mesme Teknologjike deri në qendrën “Kristal”, nuk ka nisur ende puna; ndërsa në dy segmentet e tjera, që vijojnë nga qendra “Kristal” deri në Shkollën e Policisë në Sauk, dhe nga këtu deri në Lundër, është vendosur pezullimi i punimeve.