Lagjia Uznovë në Berat kundërshton devijimin e projektit të rrugës pa trotuare
Banorë të lagjes periferike Uznovë të qytetit të Beratit kanë kundërshtuar devijimet e projektit të rrugës që po ndërtohet në zonën e tyre. Të indinjuar, banorët thonë se rruga që po vazhdon punimet, ku ska asnjë tabelë për fillim dhe përfundim të projektit ka patur devijim të punimeve. Kjo rrugë me gjatësi rreth 240 metër, është bërë pikërisht për tu lidhur më shkollën 9- vjeçare Xhemal Cekini.
Problemi është se rruga ka gjerësi, por nuk ka trotuare. Pjesërisht ka trotuare vetëm për të kaluar një këmbësor, ndërsa aty ku ka ndërtime të pallateve nuk ka asnjë centimetër trotuar, thonë banorët. Banori i kësaj lagjeje dhe njëkohësisht këshilltari në këshillin bashkiak, Tomorr Kumëria bën të ditur për gazetën se devijimet janë skandaloze. Për interesa personale aksi rrugor nuk është i drejtë sipas projektit, trotuare ka pjesërisht dhe në shumë vende nuk ka fare, ndërkohë që fëmijët e shkollës 9- vjeçare janë të detyruar të kalojnë në rrugë, gjithashtu problem janë dhe ujërat e zeza që janë bashkuar bashkë me të zezat. Unë kam kërkuar në institucionet e pushtetit lokal verifikim të projektit të ndryshuar, pasi gjerësia është 7 metër dhe pa trotuare. Po asnjë zyrë në bashki nuk më ka dhënë të drejtën të kem projektin në dorë, ndaj kam vendosur që bashkë me banorët e lagjes sime të çojmë për verifikim të projektit deri në kontrollin e lartë të shtetit, bën të ditur Kumbëria. Po sipas banorëve bëhet e ditur se projekti po ndërtohet pa perspektivë për fëmijët, që sipas tyre do e lajnë me gjak këtë rrugë se nuk kanë trotuare të kalojnë kur të shkojnë në shkollë. Ndërsa burime nga institucioni i bashkisë bëjnë të ditur se fondi për këtë rrugë është 12 milion lekë të reja, ndërsa afati përfundimit është deri në 15 mars të këtij viti. Ndërsa për devijimet burime të bashkisë bëjnë të ditur se ato janë brenda projektit dhe në rastet kur duhet brenda normave ligjore ato ndodhin, ndërsa për rastin në fjalë projekti ka pasur ndryshme si pasojë e mospasjes mundësi të prishjes së pallateve për të patur trotuare gjatë rrugës.