Folklor shqiptar, në SHBA
Festivali Shqiptar i Usterit është kthyer në një qendër të re njohjeje mes emigrantëve shqiptarë në Amerikë. Ai tërheq vizitorë të shumtë me traditën e kuzhinës, me muzikën dhe vallet popullore, e më së shumti me atë gjallëri dhe hare festive, që i karakterizon bashkime të tilla mes shqiptarëve.
Këto ditë Kisha Ortodokse Shqiptare Fjetja e Shën Marisë në Uster Masaçusets (SHBA) ka nisur përgatitjet për zhvillimin e edicionit të 14 të Festivalit Shqiptar, që do të mbahet në fillim të muajit qershor. Aktiviteti që organizohet çdo dy vjet, bashkë me rritjen në numër të bashkatdhetarëve shqiptaro-amerikanë shpreh dhe interesimin e shumë vizitorëve. Rreth 13 mijë vetë e vizituan Festivalin Shqiptar në vitin 2007 dhe organizimi i edicionit të 14 duket se është në rrugë të mbarë. Nga drejtuesit e këtij festivali bëhet e ditur se sapo ka marrë formë edhe një faqe e posaçme në internet për festivalin, ku shihet dhe mundësia e shpejtë e këmbimit të informacionit dhe lidhjeve për bashkëpunim. Ndërsa tani gjithnjë e më shumë do të dallosh se krah Billi Johns (kryetarit), janë Irida Tollkuçi, Ligor Progri dhe mjaft të tjerë që punojnë me shumë përkushtim. Ky aktivitet konsiderohet si më i rëndësishmi për sa i përket kulturës popullore shqiptare që zhvillohet në Amerikë.