Lahej në kanal, mbytet fëmija 9-vjeç
Shkodër- Ka qenë duke u larë me fëmijë të tjerë në një kanal afër shtëpisë, por ka humbur jetën brenda në ujë. Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë, afër Mjedës në Vaun e Dejës.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se 9-vjeçari me iniciale K.P ka humbur jetën i mbytur në kanal. “Fëmija ka qenë duke u larë, por është zhytyr nën ujë dhe nuk ka arritur të dalë dot më në sipërfaqe”- bëjnë të ditur dëshmitarët në vendin e ngjarjes.
Shokët e tij kanë thërritur të alarmuar për ndihmë, pasi nuk kanë mundur ta ndihmojnë dot vetë. Në vend janë mbledhur banorë të tjerë, por për fëmijën nuk ka pasur asnjë shpresë.
Trupi i pajetë është dërguar për në spital, në pritje të procedurave të rastit, ndërkohë që policia ka bërë me dije paraprakisht se vdekja ka ardhur si pasojë e mbytjes.