E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldinjo: Olimpiada është si një kampionat botëror

Ylli i Milanit dhe i “Selesaos” shpreson ta ndihmojë kombëtaren e tij, të fitojë medaljen e parë olimpike

Ndoshta do të duket e pabesueshme, por edhe kombëtarja e futbollit të Brazilit, pesë herë kampion i Botës dhe emblemë planetare e mjeshtërisë në futboll, nuk e ka fituar asnjëherë arin olimpik në Olimpiadë. Ky fakt i thjeshtë e ka "detyruar" Ronaldinjon të caktojë objektivin e radhës, këtë herë në sens kombëtar: "Jam këtu për të bërë histori." Talenti brazilian, kalimi i të cilit nga Barcelona te Milani nuk i solli asnjë pengesë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, tani ka ndërmend të lerë shenjë në Olimpiadë. Dhe ka vetëm një mënyrë: të ndihmojë "Selesaon" të fitojë medaljen e artë në turneun e Pekinit me qëllime të mëdha: "Olimpiadat janë të rëndësishme, aq sa Botërori dhe Kupa e Amerikës, - thotë Ronaldinjo. - Të gjithë duan të triumfojnë në këtë veprimtari të madhe." Duke iu kthyer pushimit të gjatë, për të cilin ishte i detyruar të mungonte, për shkak të problemeve muskulore, ylli kuqezi tregon: "Nuk luaj një ndeshje ndërkombëtare që prej katër muajsh, por jam stërvitur shumë dhe mirë, ndaj jam në gjendje të shkëlqyer. Ishte e vështirë të qëndroje jashtë për një kohë të gjatë: nuk mund të luaja, nuk mund të stërvitesha. Mund t'i shihja vetëm në televizor ndeshjet, ishte një situatë shumë e trishtë." Përveç dëmtimeve, periudha e fundit e Ronaldinjos në Barcelonë është shënuar nga keqkuptime me trajnerin holandez, Rajkard, dhe nga kritikat për një jetë nate jashtëzakonisht të lëvizshme dhe të pakontrolluar. "Kam qenë edhe unë në mes të polemikave, pak a shumë, si Maradona, - shpjegoi lojtari 28-vjeçar. - Kur jam me pushime, bëj atë që më pëlqen. Por gjatë sezonit, jam një profesionist serioz. Nëse kampionati ka mbaruar, jam i lirë të bëj gjithçka." Me kalimin te Milani, u kthye edhe qetësia e trajnerit të kombëtares braziliane, Karlos Dunga, i cili falënderoi publikisht klubin kuqezi, që i ktheu buzëqeshjen në fytyrë Ronaldinjos: "Po, jam i lumtur, - konfirmoi ish-fituesi i "Topit të artë". - Jam një profesionist, një transferim është një fillim i ri. Por për Milanin do të mendoj më pas. Për momentin, rëndësi ka Olimpiada. Eshtë një nder i madh, që përfaqësoj vendin tim, do të bëj maksimumin."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›