Dëmtoi për hakmarrje ujësjellësin, arrestohet
Elbasan- Dëmtimi i ujësjellësit të fshatit ka çuar në pranga një 44-vjeçar nga fshati Dushk i zonës së Belshit.
Ngjarja ka ndodhur 3 ditë më parë, kur Asqeri Çapja ka prerë me sharrrë hekuri tubacionin dhe ka dëmtuar saraçineskën duke lënë pa ujë banorët e fshatit të tij. Çapja kishte kërkuar të punësohej nga Ujësjellësi dhe kur kjo nuk kishte ndodhur ai kishte vendosur të hakmerrej duke lënë pa ujë të gjithë fshatin.
Banorët kanë vendosur të protestojnë për këtë shkak dhe një ditë më parë kanë marrë bidonat e kovat duke zënë rrrugën hyrëse të fshatit. Ata kanë kërkuar riparimin e dëmit dhe rikthimin e ujit të pijshëm në çezmate tyre.
Një ditë pas protestës, policia ka bërë të ditur emrin e dëmtuesit të ujësjellësit dhe arrestimin e tij për shkatërrim të pronës me dashje.