E Diel, 1 Nëntor 2026

Lajçak: GJND-ja do të marrë parasysh ligjin ndërkombëtar

Bratislava-Shefi i diplomacisë sllovake, Miroslav Lajçak, ka deklaruar të hënën se beson fuqishëm që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta respektojë ligjin ndërkombëtar gjatë vlerësimit të legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Sllovakia se ka njohur shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës sepse ai akt është kryer pa marrëveshje me palën serbe dhe është shkelur e drejta ndërkombëtare”, ka thënë ai në një konferencë në Londër me temën “E drejta e popujve për vetëvendosje”.

Lajçak ka thënë se në rastin e Kosovës është shkelur parimi i së drejtës për vetëvendosje që u përket vetëm popujve dhe jo pakicave. Ai ka kritikuar faktin që njohja e Kosovës u është lejuar shteteve para se OKB të zgjidh konfliktin mes dy parimeve kyçe – të drejtës për vetëvendosje dhe të drejtës për integritet territorial.

“Kjo është vështirë e pranueshme’, ka thënë ai, duke shtuar se në rastin kur dy palë kanë probleme për t’u marrë vesh, është me rëndësi që bashkësia ndërkombëtare e përfaqësuar me Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit të marrë iniciativën në këtë proces.

“Jemi të sigurt që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vërtetojë parimet kyçe të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë kryediplomati sllovak.

Si shembull të zgjidhjes paqësore dhe ku nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare ai ka marrë rastin e shpërbërjes së ish-Çekosllovakisë, pavarësimin e Malit të Zi, duke theksuar se Sllovakia nuk i njeh Abkhazinë dhe Osetinë Jugore për arsye të njëjta si në rastin e Kosovës. /Gazeta-Express/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›