E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takim në Lakprakë

TiranëKryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrimi Ilir Meta gjatë një takimi të zhvilluar në Laprakë të Tiranës, u shpreh i bindur për suksesin e LSI-së në zgjedhjet e 28 Qershorit, sepse sikurse u tha ai, kjo bindje forcohet gjithnjë dhe më shumë kur shikon në takimet e zhvilluara në të gjithë Shqipërinë, kur shikon çdo ditë dhe më tepër të rinj dhe të reja që afrohen gjithnjë dhe më shumë me këtë forcë politike.

“Vendi është në një situatë krize e cila është e gjithanshme, duke filluar që nga kriza energjetike dhe ku zhurmat e gjeneratorëve nuk rreshtin asnjë dite, dhe përfunduar tek kriza më e fundit që është ajo e kartave të identitetit. Krizë që nga rritja e çmimeve deri tek papunësia, e cila vjen si rezultat i falimentimit të bizneseve”-tha Meta.

Duke i qëndruar këtij argumenti Meta ka shtuar se këtë situatë kaq emergjente e ka deklaruar dhe një nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare sikurse është PNUD-i , që mbi një milionë njerëz në Shqipëri jetojnë nënë minimumin jetik, jetojnë në kufijtë e varfërisë dhe nuk përballojnë dot jetesën e përditshme.

“Si ekonomist dhe si politikan, unë dua t’ju siguroj që ne kemi një plan të qartë konkret dhe të efektshëm për ti ardhur në ndihmë kësaj kategorie. Në këtë drejtim ne do të rishikojmë politikën e taksave për të ardhurat e individit, duke përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat të gjitha pagat deri në 25 mijë lekë të reja në muaj”-premtoi kreu i LSI-së.

Meta tha më tej se, LSI-ja është e vendosur të ndjekë politika të tjera të cilat kanë të bëjnë me uljen e ndjeshme të TVSH-së sidomos për dymbëdhjetë produktet bazë të ushqimit, gjë që do ndihmojë në uljen dhe në stabilizimin e çmimeve. Por ajo që është më e rëndësishme për ish-Kryeministrin Meta, janë politikat që LSI-ja do të ndjekë për të ulur varfërinë përmes politikave të punësimit. Kjo është sfida më e madhe u shpreh ai, dhe kjo sfidë kërkon në radhë të parë gjallërimin e biznesit.

“Për çdo vend të ri pune që do të krijohet ne do të stimulojmë në mënyrë konkrete biznesin duke e lehtësuar nga taksat dhe tatimet. Për çdo vend të ri pune, ne do të shprehim mirënjohjen tonë biznesit vendas apo të huaj jo me fjalë, por me politika konkrete, tatimore dhe fiskale. Pra për çdo biznes të ri që do punësojë më shumë sesa pesë veta, ne do të heqim tatim -fitimin për tre vitet e para, si një masë lehtësuese.

“Ndaj ne jemi të sigurt se me politika konkrete dhe me vepra konkrete, do të arrijmë që t’ju japim mundësi të gjithë shqiptarëve, që sot janë të përjashtuar nga kjo e drejtë” garantoi Meta. Ndaj tha ai, është koha për “bonus jetik”, që është programi ynë kundër varfërisë në të gjitha drejtimet, që nga dyfishimi i ndihmës ekonomike, që nga miratimi i ligjit për moshën e tretë, që nga transporti urban dhe ndërurban dhe deri tek rimbursimi i ilaçeve dhe shërbimeve të tjera. Është Koha për Veprim, ndaj votoni për LSI-në”-përfundoi fjalën e tij në mes të entuziazmit të pranishmëve, lideri i LSI, Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›