E Diel, 1 Nëntor 2026

Lajçak: “Integrimi euroatlantik i Bosnjës ka ngecur”



Përfaqësuesi ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të OKB-së se integrimi i Bosnjës në komunitetin euro-atlantik ka ngecur si rezultat “i axhendës nacionaliste” që ende dominon në debatin politik të vendit.
Diplomati sllovak Mirosllav Lajçak i tha Këshillit të Sigurimit se udhëheqësit politikë të Republikës Serbe të Bosnjës dhe Federatës Myslimano-Kroate i kanë ashpërsuar qëndrimet e tyre kohët e fundit. Por Lajçak foli me tone veçanërisht kritike lidhur me zhvillimet e fundit në Republikën Serbe të Bosnjës dhe dënoi thirrjet e saj për një referendum kombëtar për shkëputje nga Bosnja. Ai nënvizoi gjithashtu dështimin e Republikës Serbe të Bosnjës për të bashkëpunuar me zyrën e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar si dhe paraqitjen e asaj që e cilësoi si një akt-padi e sajuar ndaj një përfaqësuesi amerikan në Bosnje si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë ndërkombëtarë e boshnjakë. Kreu i Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Nikolla Spiriç, e cilësoi raportin e Lajçakut si të njëanshëm, ndërsa Rusia e cilësoi si alarmist.

SHBA
Obama, investime në infrastrukturë dhe shkolla
Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Barak Obama, ka bërë publik një pjesë të planit për rimëkëmbjen e ekonomisë që synon ruajtjen e 2.5 milionë vendeve të punës. Administrata e tij do të japë para për shtetet federale për ngritjen e infrastrukturës dhe modernizimin e shkollave. Është afruar mundësia e ujdisë për ndihmë financiare industrisë së makinave. Zyrtarë të Kongresit të SHBA-ve kanë thënë se është duke u diskutuar një hua për General Motors, Ford dhe Chrysler.

INDI
Arrestohen dy veta për sulmet në Mumbai
Policia e Indisë bëri të ditur se ka arrestuar dy persona, të cilët dyshohen se kanë furnizuar me karta celulari personat e armatosur që kryen sulmet në Mumbai. Një zyrtar i policisë në qytetin lindor Kalkuta tha se njëri nga të arrestuarit është nga pjesa indiane e Kashmirit. Nju Delhi i ka akuzuar militantët islamistë nga Pakistani fqinj për sulmet, në të cilat u vranë më shumë se 170 njerëz.

PAKISTAN
27 të vrarë gjatë sulmeve me bomba
Në veriperëndim të Pakistanit ka pasur dy shpërthime të rënda bombash në tregje, gjatë të cilave janë vrarë 27 veta. 21 veta humbën jetën gjatë sulmit në shtetin milionësh Peshauar.
Bomba, sipas të dhënave të policisë, ndodhej në një makinë që ishte parkuar para një xhamie shiite në një nga tregjet e mëdha të qytetit. Në lagjen periferike Orakzai u vranë 6 veta kur një autobombë shpërtheu në një treg.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›