E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti i qeverisë kosovare, Mitrovica me dy komuna

Ferati: “Krijimi i komunës së re është proces i vështirë”. Dilemë për krijimin e komunave në mesin e shqiptarëve dhe serbëve

Blerina Olldashi
Para zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, qeveria e Kosovës synon të formojë komunën veriore të Mitrovicës, siç parashihet në planin e Ahtisarit. Për të arritur në këtë përfundim duhet bashkëpunimi i serbëve lokalë, të cilët për momentin refuzojnë çdo plan të institucioneve të Kosovës. Nëse arrihet marrëveshja me serbët, komuna veriore e Mitrovicës mund të përurohet vitin e ardhshëm. Megjithatë, qeveria e Kosovës nuk njihet nga përfaqësuesit serbë të veriut të Mitrovicës. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, njëkohësisht edhe ish-kreu i Komunës së Mitrovicës, ka pranuar se integrimi i qytetit, por edhe krijimi i komunës së re, është proces i vështirë. Por ai shpreson se përmes afirmimit të procesit të decentralizimit, serbët lokalë do të ndryshojnë mendje. Por ata që e prezantojnë veten si përfaqësues të serbëve në Mitrovicë nuk pajtohen që veriu i qytetit të shndërrohet në komunë nën kushtet e përcaktuara në propozimin gjithëpërfshirës të Ahtisarit, dispozitat e të cilit legjislativi tashmë i ka shndërruar në ligje. ”Nuk pajtohemi me planin e Ahtisarit. EULEX-i është këtu nën kushtet e vëna nga OKB-ja e jo me planin e Ahtisarit. Komuna e Mitrovicës Veriore ekziston dhe ajo nuk do të krijohet as me planin e Rexhepit e as me atë të Ahtisarit”, - është shprehur Milan Ivanoviç, nga Këshilli Nacional Serb, duke ofruar këtë si arsye për kundërshtimin e planit. “Ata e kanë menduar shumë mirë që disa lagje të përziera apo lagje shqiptare në Mitrovicë t’i takojnë pjesës jugore, ndërsa veriu i Mitrovicës, Zveçani e Leposaviçi, të mbesin të rrethuara nga fshatrat shqiptare, gjë që shumë shpejt mund të çojë në destabilizim dhe ndërprerje të komunikimit të pjesës veriore me Serbinë. Është e qartë që këtë plan e ka sjellë ndonjë analist ushtarak shqiptar, gjë që serbëve nuk u përshtatet fare”, - tha Ivanoviç. Megjithatë, ministri Ferati ka sqaruar se dilema për krijimin e komunës veriore të Mitrovicës ka edhe në mesin e shqiptarëve. “Shqiptarët druhen se si do të përdoret ky pushtet i gjithëfuqishëm nga komuniteti shumicë i komunës së re, qoftë në Mitrovicë, Ranillug, Kllokot e komuna të tjera. Ndërsa serbët kanë dilema se cili është shpjegimi i Beogradit për këtë dhe, nëse marrin pjesë, a thua do të tregojnë se jeta po normalizohet dhe ‘brenga’ që Beogradi tregon është e paqëndrueshme. Kemi këto rezerva, por kjo është një ofertë me të cilën mund të lëvizim nga gjendja momentale”, - ka pohuar Ferati.
Incidentet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas autoriteteve të rendit, kanë ngritur tensionet ndëretnike. Kjo mund të jetë edhe një nga shkaqet që mund të çojnë në vonesën e zbatimit në praktikë të procesit të decentralizimit në këtë komunë.

Ivanko: “Më 9 dhjetor, UNMIK-u zëvendësohet nga EULEX-i”
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, ka deklaruar se pas datës 9 dhjetor policia e misionit të Kombeve të Bashkuara do të zëvendësohet nga ajo e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës. Punonjësit e forcës së sigurisë që vijnë nga vendet europiane do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrën e tyre, ndërkohë që ata që u përkasin vendeve të tjera do të kthehen në shtëpitë e tyre. Sipas tij, bëhet fjalë për 2 mijë pjesëtarë të misionit UNMIK që do të veshin uniformën e EULEX-it. Në lidhje me situatën në Kosovë do të diskutohet ditën e hënë në Bruksel në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian Në një dokument të përgatitur theksohet se në Kosovë, ndonëse ka pasur progres në disa fusha, siç është miratimi i shumë ligjeve, është me rëndësi të fuqizohen institucionet e shtetit juridik, mbrojtja e minoritetit serb dhe e minoriteteve të tjera, si dhe të forcohet beteja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Maqedonia mbështet praninë e OSBE-së në Kosovë

Shefi i diplomacisë maqedonase, Antonio Milloshoski, ka deklaruar se vendi i tij mbështet pavarësisë e Kosovës pasi kjo mund të kontribuonte në stabilizimin përfundimtar në rajon. “Maqedonia u bashkangjit në grupin e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës me shpresë se kjo do të kontribuojë në të ardhmen për stabilizimin përfundimtar në rajon”, - tha Milloshoski gjatë ditës së dytë të sesionit të 16-të të Këshillit Ministror të OSBE-së që u mbajt në Helsinki, në Finlandë. Por numri një i diplomacisë maqedonase shtoi se njëkohësisht do të ketë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë. Në këtë kontekst, ai theksoi se Maqedonia jep mbështetje të plotë për vazhdimin e pranisë së OSBE-së në Kosovë si kontribut kryesor i zhvillimit dhe stabilitetit demokratik.
Gjithashtu, Milloshoski theksoi: “Maqedonia pret nga kryesuesja e ardhshme e OSBE-së që Greqia t’i zgjidhë sfidat dhe detyrat me përkushtim dhe shkathtësi dhe të mos frikësohet t'i pranojë dallimet dhe ndjenjat e kombit fqinj”.

Mikronezia njeh Republikën e Kosovës

Republika e Kosovës u njoh nga Mikronezia duke e çuar numrin e njohjeve në 53. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. “I ngarkuari i përhershëm me punë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të Mikronezisë, Xhim Lipi, ka njoftuar ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, se Mikronezia ka njohur Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran”,- thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Mikronezia është shteti i 53-të anëtar i OKB-së që njeh Republikën e Kosovës që nga 17 shkurti 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›