“Gjendja e pacientëve është nën kontroll të plotë”

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, tha dje për mediat se gjendja e të plagosurve është nën kontroll dhe se dikasteri i Shëndetësisë po ndjek me vëmendje të plotë situatën. Vasili informoi se mjekët profesionistë po punojnë me përkushtim për shpëtimin e jetëve njerëzore.
“Ministria e Shëndetësisë po ndjek në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e të plagosurve nga aksidenti tragjik i një ditë më parë.
Informojmë se nga 10 te plagosur që janë shtruar në spitalin Ushtarak, për tetë prej tyre gjendja paraqitet e stabilizuar, ndërsa dy të plagosur të tjerë mes të cilëve një fëmijë paraqesin një gjendje më kritike”, tha ministri Vasili.
Duke iu referuar gjendjes shëndetësore të 9 vjeçarit Simon Perja, i cili mbeti i plagosur rëndë nga aksidenti, ministri Vasili deklaroi se vazhdon të jetë në gjendje kome dhe qëndron i shtruar në reanimacionin e spitalit Ushtarak ndërsa pacienti tjetër i cili i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në mushkri, sipas ministrit, do të qëndrojë i shtruar në spitalin Ushtarak dhe do të asistohet nga një ekip mjekësh i spitalit Universitar të Mushkërive për ndjekje më të specializuar.
“Ndërkohë gjendja e të plagosurve të tjerë që kanë marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Shkodrës është jashtë rrezikut për jetën”, deklaroi ministri Vasili.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ishte i pranishëm në vendngjarje dhe dje kreu një vizitë për t’u njohur nga afër me gjendjen shëndetësore të të plagosurve në spitalin Ushtarak.
“Bëjmë me dije se strukturat shëndetësore të Qëndrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ dhe ato të spitalin Universitar të Mushkërive janë në gatishmëri të plotë t’i përgjigjen në mënyrë profesionale dhe të shpejtë çdo komplikacioni të mundshëm. Ministria e Shëndetësisë falënderon të gjithë stafin mjekësor veçanërisht atë të spitalit të Pukës, por edhe të Shkodrës, Mirditës dhe Lezhës të angazhuar në përballimin e kësaj situate emergjence. Njëkohësisht vlerësojmë punën e kryer nga njësia e transportit mjekësor me helikopter të cilët bënë të mundur shpëtimin e sa më shumë jetëve njerëzore. Në këtë ditë zie kombëtare Ministria e Shëndetësisë gjen rastin të ngushëllojë familjet e viktimave të kësaj tragjedie të rëndë”.