Lajme nga bota!
Tusk: Rusia po pengon hetimet për Kaczynskin
Zyrtarët polakë kanë akuzuar Rusinë se nuk po tregohet shumë bashkëpunuese në lidhje me dokumentacionin për aksidentin e vdekjes së Presidentit polak, Lech Kaczynski. Ata po kërkojnë nga Rusia vënien në dispozicion të dokumenteve, për të cilat thonë se janë të nevojshme në hetimet lidhur me rrëzimin e aeroplanit të Presidentit më 10 prill 2010. Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se ndërkohë që hetimet po futen në fazën përfundimtare, bashkëpunimi me Rusinë është më i keq sesa ishte në fillim. Gazeta “Wyborcza” e Polonisë citon kryehetuesin, Edmund Klich, të ketë thënë se Rusia nuk dëshiron t’i vërë materialet në dispozicion. Gazeta thotë se dokumentet në fjalë ose mund të konfirmojnë ose përjashtojnë se kontrollorët rusë të trafikut ajror dhe pajisjet e tyre mund të kenë luajtur një rol në këtë tragjedi.
Shënohet përvjetori i sulmit bërthamor në Hiroshimë
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, mori pjesë në ceremonitë e përkujtimit të sulmit me bombë bërthamore në Hiroshimë dhe Nagasaki, në vitin 1945. Ban Ki-Moon do të jetë Sekretari i parë i Përgjithshëm i OKB-së, që do të marrë pjesë në ceremoninë në Hiroshimë dhe që viziton Nagasakin. Në takimet me liderët e Japonisë, ai do të diskutojë mbi çarmatimin bërthamor. Mbi 140 mijë njerëz janë vrarë menjëherë në Hiroshimë ose disa ditë apo javë, pas sulmit bërthamor, të ndërmarrë nga SHBA-ja. Japonia nuk ishte dorëzuar menjëherë, por këtë e bëri pas sulmit me bombën e dytë bërthamore në Nagasaki, tri ditë më vonë, ku u vranë mbi 700 mijë njerëz.
Zardari: “Po
humbasim” luftën kundër talebanëve
“Koalicioni ndërkombëtar tashmë e ka humbur betejën për mendjen dhe zemrën e popullit afgan”, tha Presidenti pakistanez, Ali Zardari për gazetën franceze “Le Monde”. “Besoj se komuniteti ndërkombëtar, të cilit i përket edhe Pakistani, është në procesin e humbjes së luftës kundër talebanëve, dhe kjo mbi të gjitha, sepse ne kemi humbur betejën për zemrat dhe mendjet”, e ka cituar “Le Monde”. Zardari ka kritikuar komentet e bëra nga Kryeministri britanik, David Kameron, mbi qëndrimin e Pakistanit ndaj talebanëve.
Erëra lufte, “betejë” në kufirin izraelo-libanez
Në kufirin mes Izraelit e Libanit pati një konflikt të armatosur, pranë Adayyse-s. Pesë persona janë plagosur, mes të cilëve një ushtar dhe një civil libanez. Bilancet flasin edhe për pesë të vdekur gjatë shkëmbimit të raketave dhe plumbave të armëve automatike. Mes viktimave është edhe një reporter libanez. Të paktën dy raketa katjusha janë hedhur nga jugu i Libanit drejt veriut të Izraelit. Ky i fundit thotë se i është kundërpërgjigjur sulmit duke qëlluar me artileri drejt një vendndodhjeje të ushtrisë libaneze pranë Adayyse-s, në Linjën Blu të demarkacionit mes dy vendeve.