Vritet politikani, anëtarët e partisë së tij zotohen për hakmarrje
Të paktën 45 persona kanë humbur jetën gjatë një incidenti që u quajt “hakmarrje për një vrasje politike” në qytetin pakistanez, Karaçi. Vrasja ndodhi të hënën, ndërsa politikani Raza Haider, një figurë me ndikim të madh në vend, u vra gjatë një ceremonie varrimi në një xhami. Dëshmitarët thanë se zyrtarë të lartë të partisë së tij, MQM, një parti ku shumica janë të myslimanë shiitë, kërcënuan menjëherë se do të hakmerreshin. Brenda disa orësh, njerëz të armatosur kanë dalë nëpër rrugë, duke qëlluar civilë dhe biznese, madje edhe gazetarët në terren. Zyrtarë të partisë nuk e kanë pranuar përgjegjësinë e këtyre vrasjeve. Shumë thonë se masakra ka ndodhur nga anëtarë të mafies, të cilët kanë përdorur incidentin politik. Shumë u kanë bërë thirrje mediave ndërkombëtare të përmbahen nga “komentet e pabazuara” për hakmarrje politike. Grupe të të drejtave të njeriut kanë vlerësuar se më shumë se 300 vetë kanë humbur jetën, si pasojë e dhunës me motive politike në Karaçi gjatë këtij viti. Ky nuk është problemi i vetëm i Pakistanit. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në veri të Pakistanit po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. Sipas të dhënave zyrtare, deri tani kanë humbur jetën të paktën 1,500 vetë. Sipas të dhënave të OKB-së, dy milionë e gjysmë njerëz kanë mbetur të pastrehë nga përmbytjet. Pakistani ndodhet edhe në qendër të polemikave me koalicionin ndërkombëtar perëndimor mbi bashkëpunimin e shërbimeve sekrete të tij me talebanët në Afganistan. Zyrtarët pakistanezë i kanë mohuar këto informacione, të cilat u shfaqën pas publikimit të 92 mijë dokumenteve sekrete në faqen e informacioneve zyrtare amerikane, “Wikileaks”.