Rusia refuzon Hysenin, debat në Këshillin e Sigurimit
Rusia e ka bërë shumë të vështirë hyrjen e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, në sallën e Këshillit të Sigurimit, ku u diskutua dje për Kosovën dhe për vendimin e GJND-së pro pavarësisë së saj.
Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit diskutuan rreth pjesëmarrjes së mundshme të ministrit Hyseni në sesionin për Kosovën, raportoi “Radio Evropa e Lirë”. Edhe në takimet e mëparshme në OKB, pjesëmarrja e Hysenit është mundësuar përmes zbatimit të disa rregullave specifike të KS-së, por Rusia në Presidencë gjatë këtij muaji e ka komplikuar pjesëmarrjen e tij. Në të gjitha takimet e KS-së, ministri Hyseni zyrtarisht asnjëherë nuk ka marrë pjesë si ministër i Jashtëm, për shkak të ndarjeve të opinionit të shteteve anëtare rreth Kosovës. Ka qenë Federata Ruse, që kërkoi debatin për Kosovën dy javë pas vendimit të GJND-së. Prishtina, nëse ministrit Hyseni do t’i lejohet fjala, por edhe Beogradi zyrtar pritet të përqendrojnë vëmendjen në mendimin këshillëdhënës të Gjykatës. Autoritetet serbe kanë bërë thirrje për hapjen e dialogut edhe për çështjen e statusit, ndërkohë që Prishtina zyrtare e konsideron çështjen të mbyllur. BE-ja e ka përshëndetur gatishmërinë e Serbisë për bisedime dhe është shprehur e gatshme për t’i lehtësuar ato. Mbledhja e radhës e KS-së, që u thirr me shpejtësi nga Federata Ruse, pritet të thellojë edhe më shumë dallimet mes Prishtinës e Beogradit mbi çështjen e statusit të Kosovës. Autoritetet serbe, që kanë dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një projektrezolutë për Kosovën, do të këmbëngulin në qëndrimin, se mosmarrëveshjet territoriale nuk mund të zgjidhen me shkëputje, duke e cilësuar vendimin e GJND-së si të mangët.