E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Vendimi i gjykatës për zgjedhjet, nën presionin e Berishës”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pohoi dje se kryeministri Sali Berisha dhe mazhoranca kanë bërë presion ndaj gjykatësve që shqyrtuan ankesat zgjedhore pas procesit të 28 Qershorit. I pranishëm në emisionin “Ora e Debatit”, kreu i PS-së, theksoi se mazhoranca bëri presion ndaj gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, të cilët u desh të takoheshin nga ambasadorët e vendeve perëndimore, të cilët u kërkuan atyre kurajën, të cilën sipas Ramës, nuk e patën në shqyrtimin e ankesave. Rama tha se këmbëngulja e Berishës për të mos hapur kutitë tregon qartë krimin elektoral që fshihet në to. Kreu i Partisë Socialiste tha se raporti i OSBE-së cilëson qartë se në 26 për qind të qendrave të administrimit të zgjedhjeve, numërimi ishte i keq ose shumë i keq. Ai theksoi se bojkoti do të vazhdojë.

Deklarata

“Kërkesa jonë u hodh poshtë forcërisht dhe nga Kolegji, pasi 5 ambasadorë u takuan me gjykatësit për të kërkuar zbatimin e ligjit. Përse shkuan, nëse do të ishte fjala për ndonjë çështje që nuk kërkonte kurajo, që ata se patën. Nga pikëpamja legale procesi ka përfunduar, por Parlamenti i ka të gjitha mundësitë të hapë kutitë”, - pohoi Rama dje, duke akuzuar në këtë mënyrë kreun e Qeverisë se ka ushtruar presion mbi këtë organ. Ai shtoi se kërkesa për hapjen e kutive nuk ka asnjë lidhje me vendimin e gjykatës. Në këtë kuadër, Rama përmendi dhe nismën për një ligj për hetimin e zgjedhjeve. Ai sqaroi se ky ligj është bërë gati por ka pasur çështje më të rëndësishme me të cilat opozita është marrë. “Është bërë një projekt, është marrë një nismë, e cila ka marrë firmat e mjaftueshme prej kohësh dhe është nismë e një grupi që në momentin e duhur do të bëjë hapin për ta çuar nismën në Parlament. Por ndërkohë kanë ndodhur një sërë gjërash të tjera dhe jemi në kushtet kur kemi bërë kërkesën normale për të hapur kutitë, kërkesë që nuk ka lidhje me vendimin e gjykatës, nuk ka efekt mbi vendimin”, - tha ai. Kreu socialist Rama ka theksuar edhe një vherë se bojkoti i opozitës ndaj Parlamentit do të vazhdojë deri në vendosjen e demokracisë në vend. Gjithashtu, Rama ka theksuar se Berisha kohën për reflektimin e përdori si retorikë të asgjësimit të kundërshtarit duke përdorur çdo formë të goditjes për të kallur frikë dhe për të vendosur atë që, sipas tij, nuk e vendosin dot më. Kreu i opozitës, Rama, ka deklaruar gjithashtu se, nëse nuk do të plotësohen kërkesat e opozitës, kjo e fundit do të përballet pa lëshuar asnjë fije nga e drejta e saj, pa falur asnjë milimetër liri që ia jep Kushtetuta. “Do të vazhdojmë me protesta që do të përhapen kudo dhe do tu japim një mësim demokracie dhe qytetarie këtyre që e kanë marrë si të mirëqenë se mund ta përdorin Shqipërinë për interesa personale”, - theksoi Rama. I pyetur nëse ky qëndrim i fortë opozitar ka të bëjë me humbjen e pozicionit si lider, ai tha se nuk ka lidhje me këtë gjë për sa kohë ai u rivotua si kryetar. Ai ritheksoi akuzat për manipulim, duke pohuar se ka fakte konkrete kur është tentuar jo vetëm blerja e komisionarëve, por dhe e deputetëve. Rama ka shtuar se vetëm hapja e kutive i jep Parlamentit dhe Qeverisë legjitimitetin duke u bërë garant për zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, bojkoti i opozitës nuk do të ishte aspak problem siç nuk ishin problem bojkotet e Berishës në kohën e zhvillimit të institucioneve, në rast se jeta demokratike nuk do të ishte cenuar në themelet e saj.

Kryesocialisti: “Berisha ka internuar dy mjekë, ka fakte”

“Berisha është njeriu që ka internuar njerëz të pafajshëm, nuk do të mund të rikthejë në këtë vend frymën e frikës dhe goditjes, nëpërmjet pushtetit, të kundërshtarëve politikë”. Kështu ka pohuar dje, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, sipas të cilit kryeministri Berisha, të gjitha akuzat e turpshme do të duhet ti provojë në gjykatë duke theksuar se historia e gjyqeve komuniste me denigrim falë abuzimit me pushtetin nuk mund të ngjallet në Shqipëri. Rama, për të mbështetur argumentet e tij, përmendi akuzat ndaj Fatos Nanos apo Ilir Metës. “Është kohë e humbur tu referohemi atyre që ka thënë Sali Berisha. Sa ka thënë Sali Berisha për Fatos Nanon, çfarë ka lënë pa thënë nga fjalori i shqipes për Fatos Nanon, në sa kupola e ka futur atë, sa lart e ka ngritur në hierarkinë e mafies dhe me sa të këqija të përbotshme e ka barazuar, e sa herë nuk ka lënë pa nxjerrë të keqen e të gjitha të këqijave dhe nuk besoj se e keni harruar çfarë tha kur e përqafoi në Pallatin e Brigadave dhe duke u zgërdhirë u kthye nga një popull i tërë dhe tha se ju keni të keqen që i merrni shumë seriozisht ato që themi ne, gangsterët e politikës, që themi çfarë të duam, bëjmë çfarë të duam pastaj themi të kundërtën e gjithë atyre që kemi thënë, se ashtu duam dhe bëjmë të kundërtën e atyre që themi”, - tha ai. Të njëjtën gjë, pohoi Rama, ai bëri dhe me Metën, ndërsa tashmë e ka në prehër, kukull të bëshme, nuse për integrim, që e nis kudo për të treguar se në Shqipëri ka ndodhur mrekullia mes së majtës dhe së djathtës për integrim. Rama ritheksoi se Berisha ka internuar njerëz, edhe pse nuk pranoi të bënte publikë emrat e tyre. “Sali Berisha ka iniciuar, ka nxitur dhe ka realizuar si orkestrues internimin e dy njerëzve të pafajshëm, dy mjekë dhe historia është e njohur për jo pak njerëz. Arsyeja pse nuk them emra është se unë nuk kam asnjë njohje dhe as autorizim nga viktimat. Kjo është një e vërtetë që ka vonuar, por nuk do të harrojë si gjithë të vërtetat si ajo që Berisha e ka uzurpuar me hipokrizi dhe demagogji kauzën e antikomunizmit, të së djathtës e demokracisë, se në fakt Berisha nuk është asgjë tjetër veçse një shprehje e kulturës leniniste, staliniste, enveriane të luftës për pushtet me çdo mjet dhe më tutje akoma të shpërdorimit të pushtetit për qëllime korruptive dhe abuzive”, - tha ai. Ai ka ritheksuar më tej se në asnjë rast nuk ka përmendur jetën personale të familjarëve të Berishës, as të djalit, vajzës apo të fisit të tij, por vetëm ato çështje që lidhjen me jetën publike të njerëzve dhe që ndikojnë tek ata. “Unë nuk kam përmendur familjen e Sali Berishës për asgjë që ka të bëjë me jetën e tyre private apo me çdo lloj problemi që ajo familje mund të ketë si gjithë familjet, madje, uroj të mos kenë problem. E kam përmendur në funksion të interesit publik, duke iu referuar dhe ligjeve të vendit, ligjit të miratuar nga Berisha për konfliktin e interesit që përcakton kufijtë e çdo të afërmi duke ndaluar përfitimet abuzive”, - pohoi ai.

Ky lajm është publikuar: 05/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›