E Diel, 1 Nëntor 2026

Lajme të mira nga ish-Jugosllavia

Një lehtësim të madh shprehu diplomacia ndërkombëtare, që nga Brukseli deri në Uashington, nga dy ngjarje sinjifikative që ndodhën në rajonin klasik të sherreve. Më 6 qershor, në Slloveni u organizua referendumi për marrëveshjen qeveritare të arritur me Kroacinë për një arbitrazh ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit kroato-slloven për kufirin detar, dhe votuesit i dhanë miratimin kësaj marrëveshjeje. Më 8 qershor, Kroacia dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje të bashkëpunimit ushtarak, e cila është e para e këtij lloji, 15 vjet nga përfundimi i konfliktit të armatosur mes dy vendeve. E përbashkëta e prononcimeve dhe përshëndetjeve që erdhën nga presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy, nga presidenti i Komisionit Europian, Manuel Barroso, nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton etj, për miratimin që referendumi slloven i dha marrëveshjes për detin, ishte se ai referendum dha një mesazh të rëndësishëm se si mund të zgjidhen konfliktet dypalëshe në frymë europiane dhe se kjo përbën një shembull pozitiv të pajtimit të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Referendumi slloven i dha dritën jeshile marrëveshjes së arritur në nëntor të vitit të kaluar gjatë presidencës suedeze të BE-së, për një arbitrazh ndërkombëtar të Bashkimit Europian mbi konfliktin e vjetër 19-vjeçar mes Kroacisë dhe Sllovenisë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Hyn kështu, më në fund në rrugën e zgjidhjes, një konflikt i gjatë dhe i vështirë, i cili disa herë e ka çuar konfrontimin mes dy shteteve në pragun edhe të kërcënimit ushtarak. Hyn në rrugën e zgjidhjes një konflikt, i cili kishte bllokuar rrugën e Kroacisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, sepse Sllovenia ka përdorur deri tani privilegjin dhe avantazhin e anëtarit të BE-së për të penguar përfundimin e bisedimeve të Kroacisë me BE-në për Traktatin e pranimit në atë organizatë. Një konflikt dypalësh, i cili kishte krijuar një problem të madh për vetë BE-në, por dhe për procesin aq shumë të dëshiruar rajonal të zgjerimit të BE-së. Rëndësia rajonale e referendumit slloven konsiston në faktin se dy shtetet dhe dy popujt fqinjë, më në fund pranuan që një çështje aq delikate dhe e vështirë, si ajo e përcaktimit të kufijve detarë apo tokësorë, të zgjidhet nëpërmjet arbitrazhit të faktorit ndërkombëtar, e më konkretisht me arbitrazhin e Bashkimit Europian. Kemi një element të ri pozitiv të jetës politike e diplomatike rajonale, sepse në rastet e konflikteve apo debateve për çështjen e kufijve, vazhdimisht kemi pasur dhe kemi në Ballkan modele negative të përpjekjeve të shtetit më të fuqishëm për t'i imponuar shtetit më të dobët, versionin e vet të kufijve dypalësh. Vazhdimisht kemi pasur dhe kemi në Ballkan përpjekje të shteteve anëtare të Bashkimit Europian për të shfrytëzuar apo keqpërdorur pozitën e anëtarit të BE-së, për t'i bërë presion shtetit fqinj, kandidat për në BE, me qëllim të imponimit të kushteve, qëndrimeve apo të politikës së shtetit anëtar të BE-së nga rajoni. Po të shikosh me vëmendje dinamikën e konflikteve për përcaktimin e kufijve detarë apo tokësorë në Ballkan, konstaton se shtetet, që janë në pozita më të avantazhuara si anëtare të BE-së, nuk para i kanë qejf arbitrazhet ndërkombëtare, qoftë edhe të Bashkimit Europian, për çështjen e delimitimit të kufijve. Arbitrazhi ndërkombëtar i detit apo i kufijve tokësorë, sidomos një arbitrazh nga Bashkimi Europian, nuk do ta lidhte drejtësinë me të qenit anëtar, dhe përgjithësisht priret nga standardi i paanshmërisë ndaj dy palëve në konflikt. Kthesa e parë madhe që u shënua në konfliktin Kroaci-Slloveni për çështjen e kufirit detar mes tyre, nisi që në marrëveshjen e Stokholmit të nëntorit të vitit të kaluar, kur kryeministrat e të dy vendeve pranuan një arbitrazh ndërkombëtar të Bashkimit Europian për detin. Marrëveshja e Stokholmit ishte një kthesë në qëndrimin politik, diplomatik e shtetëror mes dy vendeve, kur udhëheqjet e tyre ranë dakord për arbitrazhin ndërkombëtar të detit.
Por referendumi i 6 qershorit është një kthesë më e madhe në ecurinë e ngjarjeve dhe të zhvillimeve në Ballkan, sepse shënon shprehjen e vullnetit të popullit për arritjen dhe realizimin e kësaj marrëveshjeje shtetërore mes dy vendeve. Zakonisht referendumet popullore janë keqpërdorur në rajon dhe janë organizuar nga qeveri të ndryshme për të prishur punë ose për të justifikuar intransigjencat e tyre të politikës së brendshme ose të jashtme. Në rastin e Sllovenisë kemi një pikë kthese historike, sepse referendumi popullor pranon që një çështje aq e ndjeshme, si ajo e përcaktimit të kufijve detarë, pranohet t'i lihet arbitrazhit të Bashkimit Europian.
Në sensin e pajtimit dhe të kërkimit të rrugëve të bashkëpunimit, si e vetmja mënyrë e zgjidhjes së konflikteve dhe e problemeve të vjetra e të reja, është edhe marrëveshja për bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë dhe Serbisë. është e rëndësishme, sepse nënshkruhet mes dy shteteve, të cilët vetëm 15 vjet më parë i dhanë fund konfliktit të armatosur mes tyre. Nënshkruhet mes dy shteteve, që kanë ende shumë probleme të pazgjidhura mes tyre, që nga çështja e përcaktimit të kufirit dypalësh, çështja e gjetjes së të zhdukurve nga lufta, çështja e reparacioneve etj. Siç deklaroi ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovaç, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në Zagreb, "dihet mirë se Serbia dhe Kroacia kanë ende një numër çështjesh të hapura dhe marrëveshja jep nxitje për bashkëpunim". Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes shënon një shkallë më të madhe të vullnetit politik dhe të besueshmërisë mes dy vendeve, për të gjetur kompromisin edhe për çështjet e tjera të pazgjidhura me tyre. Duhet përmendur se ka rëndësi që Serbia nënshkruan marrëveshje ushtarake me një vend anëtar të NATO-s, si Kroacia, çka mund të merret edhe si një sinjal i rritjes së një prirjeje për afrim më të madh me integrimin atlantik, sepse bashkëpunimi ushtarak i një vendi anëtar të NATO-s me vendet e tjera nuk është vetëm fakt personal. Karakteri pozitiv i ngjarjeve të mësipërme demonstrohet në shprehjen e vullnetit të rritur për të zgjidhur problemet, debatet dhe konfliktet, për të gjitha llojet e çështjeve, në rrugën e bisedimeve dhe të kompromisit reciprok dhe të respektimit të interesave të të dy palëve. është jashtëzakonisht e rëndësishme që rajoni ynë të përqafojë modelin europian të zgjidhjes së konflikteve dypalëshe dhe një vizion më të gjerë të perspektivës euroatlantike të rajonit.
Hyrja në rrugën e zgjidhjes të konfliktit mes Kroacisë dhe Sllovenisë për kufirin detar, përparimi i marrëdhënieve mes Kroacisë dhe Serbisë në rrugën e një vullneti të mirë politik për bashkëpunim, shënon një ecuri pozitive për pajtimin në rajon.
është e qartë se shumica e problemeve dhe e konflikteve që karakterizojnë sot rajonin, janë të trashëguara nga ish-Jugosllavia. Si çështja e kufirit detar mes Sllovenisë dhe Kroacisë, ashtu dhe paketa e çështjeve të shumta ende të hapura mes Serbisë dhe Kroacisë, janë pjesë e trashëgimisë së luftërave dhe të konflikteve të përgjakshme në ish-Jugosllavi, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Konfliktet dhe luftërat gjithmonë lënë pas probleme të pazgjidhura, të cilat kërkojnë në radhë të parë hapjen e procesit të pajtimit. Kjo nuk është e lehtë në një rajon, që është karakterizuar nga një prirje për vazhdimin apo ripërsëritjen e konflikteve dhe sherreve.
Mentalitetet dhe elementet e rij të sjelljes politike e shtetërore kanë pasur dhe kanë ndikimin e tyre pozitiv në krejt zhvillimet rajonale. Dhe duhet pranuar se gjeneratori i këtij ndryshimi cilësor ka qenë kursi dhe procesi i integrimit euroatlantik të rajonit, si një forcë lëvizëse e mendësive dhe e perspektivave të reja në rajonin tonë.
Ngjarjet dhe zhvillimet pozitive mund të merren edhe si një sinjal dhe shtytje pozitive për zgjidhjen e konflikteve dhe të problemeve të tjera, të trashëguara nga ish-Jugosllavia, dhe që ende janë një pengesë për stabilitet dhe bashkëpunimet rajonale. Një problem i tillë është ai i njohjes së Kosovës nga Serbia dhe ndërgjegjësimi i Serbisë se perspektiva e zhvillimeve pozitive kërkon një pranim dhe një njohje sa më të shpejtë të realiteteve të reja në Ballkan.
Përvoja e ish-Jugosllavisë tregon se Serbia ka pranuar me vonesë dhe me vështirësi pavarësimin e Sllovenisë, të Kroacisë, të Bosnjë- Hercegovinës, të Malit të Zi. Por në fund i ka pranuar, duke mësuar edhe konkluzionin se do të kishte bërë mirë t'i kishte pranuar më përpara, sepse ndoshta edhe konfliktet e dhimbshme nuk do të kishin ndodhur. Ky mësim do të ishte mirë të mbahet në konsideratë edhe për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, dhe Serbia do të përfitonte më shumë duke njohur e bashkëpunuar me shtetin e ri fqinj, se sa duke bredhur nga La Paz në Xhakarta, duke u rropatur të pengojë të tjerët që të njohin Kosovën.
Lajme të mira po vijnë nga ish-Jugosllavia. Janë pak, por janë të mjaftueshme për të bindur se shenjat po shtohen, që rajoni do të arrijë të kuptojë se integrimi europian dhe atlantik do të jenë më të afërt, sa më shumë shtetet e Ballkanit Perëndimor të lejojnë njëri-tjetrin të jetojnë së bashku në këtë cep shkëmbor të kontinentit të vjetër.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›