Shpërthim mister në banesë, dy të vdekur, 3 të plagosur
Dy persona vdiqën dhe tre të tjerë u plagosën dje në orët e mëngjesit pas një shpërthimi të fuqishëm në një banesë në Sauk të Tiranës. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 09:50, në shtëpinë 2-katëshe të familjes Xhebrahimi, në periferi të kryeqytetit. Si pasojë e shpërthimit, i cili shkaktoi shembjen e çatisë dhe mureve në katin e dytë, humbi jetën kryefamiljari, Xhevdet Xhebrahimi, 68 vjeç, si dhe një i afërm i tij, teknik televizorësh, Luan Brahja, 32 vjeç, babai i tre fëmijëve. Të plagosur mbetën Fatbardha Xhebrahimi, djali dhe vajza e saj, Altin dhe Shpresa Xhebrahimi. Tragjedia ka ndodhur në një moment kur familja gati ishte duke festuar “dhurimin” e një televizori plazma, i cili ishte dorëzuar pak minuta më parë në shtëpi nga disa persona që pretenduan se ishin të një llotarie. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forcat e policisë, zjarrfikësit, oficerë të FNSH, ekspertë antieksploziv, si dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Tiranës. Zyrtarët e policisë e komentuan ngjarjen, si një rast të rrallë dhe enigmatik mekanizmi i të cilit ka mbetur mister pavarësisht ekspertimit të parë dhe riekspertimit të vendit të ngjarjes. Paraprakisht u dyshua për shpërthimin e një bombole gazi, por kjo pistë u hodh poshtë pak orë më pas, duke qenë se policia nuk konstatoi të ketë pasur rrjedhje gazi, e madje nuk u gjetën as mbetje të bombolës. Pista tjetër, ku po heton policia është vënia e një sasie eksplozivi në banesë, apo shpërthimi i ndonjë sasie që mund ta ketë pasur në shtëpi vetë kryefamiljari Xhebrahimi.
SHPERTHIMI
Në momentin kur ndodhi shpërthimi në banesën e familjes Xhebrahimi ndodheshin 5 persona, kryefamiljari, e shoqja, djali dhe vajza, si dhe një i afërm i tyre që kishte shkuar për t’iu montuar një televizor plazma. Shpërthimi ka ndodhur në momentin kur Xhevdet Xhebrahimi dhe tekniku i televizorit,Luan Brahj po vendosnin aparatin në prizë. Shpërthimi i fuqishëm shembi muret e katit të dytë të shtëpisë dhe rrezoi çatinë. Fqinjët e krahasojnë ngjarjen me një “Gërdec” që nuk pati zjarr dhe u ndje më pak, si një lëkundje tërmeti e që dëmtoi edhe xhamat e disa banesave e makinave përreth objektit. Pas këqyrjes fillestare të vendit të ngjarjes, policia dyshoi se shkak i shpërthimit mund të këtë qenë rrjedhja nga bombola e gazit që përdorej për gatim. Por pak orë më vonë policia është rikthyer në vendngjarje për të kryer sërish hetimet duke riekspertuar skenën e krimit për shkak të dyshimeve, se shkak i shpërthimit nuk ka qenë bombola e gazit. Kjo për arsye se nuk janë konstatuar gjurmë apo mbetje gazi, por nuk është gjetur as ndonjë pjesë e bombolës së pretenduar. Zjarrfikësja e mbërritur në vendngjarje, nuk është futur në punë, pasi në banesë nuk kishte flakë dhe as tym. Ekspertët sqaruan se ndodh që shpërthimi i gazit të mos shoqërohet me flakë, por të paktën një ndodhi e tillë shoqërohet me erën karakteristike e cila dje nuk është konstatuar as nga policia dhe as nga dëshmitarët që kanë parë me sy shpërthimin. Hetimet e policisë janë përqendruar në shpërthim të lëndës eksplozive, edhe pse ekspertët ende nuk kanë gjetur vatrën e zjarrit brenda banesës.
Fqinjët: Ishte shpërthim i fortë, s‘besojmë për bombol gazi
Lavazhieri: S‘pashë tym as flakë, dëmtoi dhe dy makina larg banesës
TIRANE - Një nga personat që është ndodhur më pranë banesës ku ndodhi shpërthimi në Sauk të Tiranës, është lavazhieri, i cili në kohën kur ndodhi ngjarja ishte duke larë dy makina. Ai tregon se shpërthimi ka qenë i fuqishëm, aq sa janë dëmtuar xhamat e dy makinave që ndodheshin tek lavazhi i tij. Lavazhi ku ai punon ndodhet vetëm disa metra lar banesës 2-katëshe ku ndodhi shpërthimi dhe tregon se e ka parë të gjithë skenën. “Dëgjova një shpërthim të fuqishëm që vinte nga shtëpia e Xhevdet Xhebrahimit dhe isha përballë saj. Përveç pluhurit që u ngrit nga shembja e mureve dhe e çatisë, nuk pashë të dilte tym dhe nuk pati as flakë”, shprehet lavazhieri. Ai tregon se ka vrapuar për të parë se çfarë kishte ndodhur, duke menduar se dikush mund të kishte nevojë për ndihmë. “U futa brenda me mendimin se do të shpëtoja të paktën vajzën e vogël të Altin Xhebrahimit, por fatmirësisht ajo nuk ndodhej aty, as e ëma e saj. Aty pashë të plagosur vajzën dhe nënën e saj. Trupat e dy të vdekurve ishin masakruar”, rrëfeu lavazhieri. Ndërsa disa fqinj të familjes Xhebrahimi tregojnë se janë tronditur nga ngjarja dhe sipas tyre shpërthimi ka qenë mjaft i fortë. Sipas tyre kjo që ka ndodhur nuk mund të jetë shpërthim gazi. Ata dyshojnë për diçka të qëllimshme, duke qenë se janë në dijeni edhe të disa problemeve që kishte familja. “Nuk e besojmë se kjo ngjarje është aksidentale, diçka ka ndodhur aty qëllimisht. Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm dhe pak a shumë ne i dimë problemet e familjes Xhebrahimi”, u shprehën fqinjët. Ata treguan se nga shpërthimi janë dëmtuar edhe xhamat e disa banesa përreth shtëpisë ku ndodhi ngjarja. e.d
Viktima e dytë, shofer i ambasadës së SHBA
TIRANE - Viktimë e shpërthimit në familjen Xhebrahimi, në Sauk, mbeti edhe Luan Brahja, 32 vjeç, i cili ishte i afërm i tyre. Brahja ishte thirrur nga Xhevdet Xhebrahimi që t’i montonte një televizor plazma, që e kishte marrë dhuratë, duke qenë se ai punonte edhe si teknik televizorësh. Përveç këtij profesioni që e ushtronte privatisht, Luan Brahja ishte i punësuar tek Ambasada Amerikane si shofer. Brahja ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve të mitur. Shtëpia e tij ishte rreth 200 metra larg vendit ku ndodhi ngjarja dhe dje ai ishte pushim. Sapo kanë marrë vesh për ngjarjen, një delegacion i Ambasadës Amerikane, ka shkuar për ngushëllim tek familja e tij në lagjen Sauk i Vjetër. Kolegët e tij, zyrtarë të selisë diplomatike të SHBA, e kanë përcjellë dje në banesën e fundit, gjatë ceremonisë mortore të organizuar nga familjarët.
Masakra, dyshime për tritol në TV
Etleva Delia
Një hasmëri e vjetër e Xhevdet Xhebrahimit dyshohet se ka qenë shkaku i mas-akrës së ndodhur dje në banesën e tij në Sauk. Sipas policisë, kryefamiljari i cili gjeti vdekjen dje, ishte në një hasmëri me familjen Dervishi nga fshati Picallë. Policia po heton edhe disa probleme pronësie që Xhebrahimi ka pasur kohët e fundit në Sauk në lidhje me pronat e tij. Burime të rezervuara nga policia shprehen se pavarësisht se ende nuk është gjetur një vatër zjarri që më pas mund të ketë shkaktuar shpërthimin e fuqishëm, dyshimet e para janë ngritur për vendin se ku është ndodhur eksplozivi që shpërtheu. Duke u nisur nga mënyra e plasjes dhe pjesa më e dëmtuar e shtëpisë, lënda eksplozive dyshohet se ka qenë e vendosur në televizor, në çatinë e shtëpisë, ose në një prej dritareve të saj. Dëmtimi thuajse tërësor i katit të dytë të banesës e ka bërë të vështirë punën e policisë në verifikimin e ngjarjes, pasi edhe gjurmët janë zhdukur krejtësisht.
HASMERIA
Policia i ka përqendruar hetimet e saj për masakrën e djeshme në Sauk tek një hasmëri e kryefamiljarit që mbeti i vdekur dje nga shpërthimi. Rreth 10 vite më parë, Xhevdet Xhebrahimi, në kushtet e tronditjes së rëndë psikike vrau me armë zjarri Naim Dervishin, i cili gjatë kohës që qëndronte me qira në shtëpinë e tij, u akuzua se i kishte ngacmuar vajzën personit që dje gjeti vdekjen në banesën e tij. Për këtë ngjarje Xhevdet Xhebrahimi u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vjet e gjysmë burg, pas të cilave rifitoi lirinë. Të afërmit e Naim Dervishit në atë kohë kishin shprehur pakënaqësi për faktin se Xhevdet Xhebrahimi vuajti shumë pak kohë në burg, edhe pse kishte kryer një vepër të rëndë penale si vrasja.
TELEVIZORI
Fqinjët e familjes Xhebrahimi në Sauk thanë se mëngjesin e djeshëm, pak para shpërthimit, dy djem të rinj i kishin telefonuar Altin Xhebrahimit. Ata i kanë thënë të zbriste dhe t’i takonte, sepse ai kishte fituar një televizor plazma. Djali i Xhevdet Xhebrahimit ka dalë tek porta e banesës, i ka takuar djemtë dhe ka pranuar dhuratën. Pasi e ka futur televizorin brenda në shtëpi, djali ka lajmëruar Luan Brahjan, i cili ishte afërm i tyre, por për shkak se punonte si teknik televizorësh, t’i ndihmonte për ta montuar pajisjen. Fqinjët tregojnë se dyshimet kryesore për ngjarjen i kanë lidhur pikërisht me televizorin, pasi shpërthimi ka ndodhur pasi pajisja është futur në prizë. Ndërkohë familja Xhebrahimi mësohet se nuk kishte aplikuar apo marrë pjesë në ndonjë lotari dhuratash. Policia tha ndërkohë se nuk ka ende prova të qarta për këtë variant, për shkak se pajisja është shkatërruar tërësisht.
Kunata e viktimës: Shpërthimi ndodhi kur vunë televizorin në prizë
TIRANE - Gruaja e vëllait të Xhevdet Xhebrahimit, njërit prej viktimave të shpërthimit të djeshëm, tregon ngjarjen, pasi është takuar në spital me të plagosurit dhe ka dëgjuar prej tyre dëshmitë mbi masakrën. Sipas Lumturie Xhebrahimit, ajo vetë nuk e ka parë momentin kur ndodhi shpërthimi, edhe pse banesa e saj nuk është shumë larg nga e kunatit. Dëshmitarja thotë se ka mësuar për ngjarjen nga 3 të plagosurit që ndodhen në spital. “Ata tani janë mirë, mjekët thonë që janë jashtë rrezikut për jetën, edhe pse me aq sa pashë unë, kunata ime, Fatbardha Xhebrahimi, ishte në gjendje të rëndë, edhe për shkak të moshës, por edhe nga dëmtimet që kishte marrë”, tregoi kunata e viktimës. Sipas Lumturie Xhebrahimit, të plagosurit që ndodhen në spital nuk e kanë as vetë ndonjë ide se nga çfarë mund të ketë ardhur ky shpërthim. Ata kanë treguar se ngjarja ka ndodhur pasi është vënë në prizë televizori i ri që ua kishin dhuruar ditën e djeshme. “Fola pak me të tre të afërmit e mi të spital, pasi nuk doja t’i sforcoja shumë, sepse gjendja e tyre nuk ishte e mirë dhe ata ishin të tronditur. Më thanë që gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë dhe tavani është shembur sipër tyre”, rrëfen Lumturie Xhebrahimi. Më tej ajo shtoi se, “Xhevdeti dhe tekniku, Luani, mbanin televizorin në dorë dhe po mundoheshin ta vinin në punë. Ndërsa Fatbardha po qëndronte diku afër tyre në këmbë, që t’iu shërbente me ndonjë gjë që ata mund të kërkonin, ndërsa Altini dhe Shpresa ishin ulur në divanin përballë vendit ku do të vendosej televizori”. Kunata e viktimës foli edhe për dyshimet e saj në lidhje me ngjarjen. Sipas saj, në rast se do të kishte plasur bombola e gazit, minimalisht do të vinte era gaz, por ata që ishin aty në spital të plagosur, kanë thënë se nuk kishin ndjerë një erë të tillë. “As bombola e gazit në shtëpi nuk është dëmtuar”, tha dëshmitarja. “Altini më tha se shpërthimi ndodhi sapo televizori u vu në punë, pastaj nuk mbante mend asgjë, sepse gjithçka ishte shembur”, shprehet Lumturie Xhebrahimi. e.d