Rama sulmon Evropën: “E papjekur, s’pyes për të”
Krejt si Haxhi Qamili para një shekulli, i cili thoshte se s’pyes për Evropën, sa kohë kam Peqinin e Rrogozhinën, dje socialistët e cilësuan qendrimin e Këshillit të Evropës si të papjekur dhe deklaruan se sugjerimet e tyre nuk do të merren parasysh. Për të trashur zërin ndaj Evropës dje ishte zgjedhur zëholli Besnik Bare, por nëse zbulohet dështimi politik i PS, në emër të Ramizit, sikterisjen e BE-së do ta shqiptojë vetë Edi Rama
Socialistët ua kanë vënë evropianëve sërish “kufirin tek thana”. Sapo presidenti i KiE-s ka deklaruar se PS s’po sillet sipas premtimeve që kishte dhënë në shkurt, me rastin e daljes së rezolutës së Strasburgut, Besnik Bare, në emër të Edi Ramës ka përsëritur qendrimin e njohur haxhiqamilist se “s’pyesim për Evropën, sepse ajo është e papjekur”. Krejt njëlloj si klithmat e Haxhi Qamilit, i cili thoshte se s’pyeste për Fuqitë e Mëdha, sa kohë kishte me vete Peqinin e Rrogozhinën. “Shprehim keqardhjen që zoti Caushoglu, nuk është i informuar sa duhet apo më saktë është i informuar në mënyrë të njëanshme nga zonja Jozefinë, por duke e vlerësuar megjithatë interesimin për Shqipërinë e informojmë se opozita ka bërë e po bën gjithçka ka në dorë për zgjidhjen e krizës”, deklaroi deputeti Baraj. Duke perifrazuar kritikën e Cavusoglu mbi opozitën, ku presidenti i PACE e quajti grevën e urisë si veprim të papjekur të PS-së, Baraj shtoi se “fjala i papjekur në këtë rast do t’i shkonte qëndrimit të zotërisë ndaj opozitës shqiptare, jo qëndrimit të opozitës ndaj krizës që as e e kemi shkaktuar ne e as po e thellojmë ne që kemi gadishmërinë për kompromis”. Besnik Bare me sa duket po priste vijën politike që do t’i përcillej nga Boshti i vjetër Beograd-Moskë-Pekin, apo nga Kominterni, si një strukturë më e favorshme e më e manovrueshme, para se të shqiptonte “sikterisjen” finale për Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Afrimi i verës po sjell edhe hutimin e analistëve pranë Edi Ramës, të cilët po nisin të iluminohen se kurrfarë drafti nuk do të vijë nga Perëndimi, as të hënën e asnjëherë, pasi një vendi sovran, një pushteti legjitim, të njohur si të tillë nga të gjithë partnerët ndërkombëtare, askush s’mund t’i paraqesë drafte në kundërshtim me ligjin, veç e nxisin që të bëjë çmos për normalizimin e situatës në parlament dhe përshpejtimin e reformave. Besnik Bare ishte caktuar dje të trashte zërin ndaj BE, në 19 vjetorin e ndërrimit të emrit të Partisë së Punës në Parti Socialiste, ndërkohë që “rrufetë” finale mund t’i shqiptojë së afërmi vetë Edi Rama, në rast se baza e partisë do të kuptojë se ai përfundimisht e ka humbur davanë e se ai duhet të largohet nga drejtimi i saj. Me afrimin e këtij stadi, pinjollit të Bllokut s’do t’i duhet kurrkush tjetër përveç elektoratit ramizist, hipotekës së tij të vërtetë përfaqësuese.