Lajmi i ditës/Miratohet ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar për dhunën e kryetarit të opozitës

Kuvendi miratoi të hënën me 71 vota kërkesën e deputetëve të mazhorancës “për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës”. Deputetët e opozitës e bojkotuan votimin, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj nismës së PD-së, të cilën e konsideruan “antikushtetuese”.
Mazhoranca do të ketë drejtimin e komisionit, me kryetar deputetin Fatbardh Kadilli dhe anëtarë deputetët demokratë Paulina Hoti, Osman Metalla, Gert Bogdani dhe Dashamir Sula, ndërsa opozita nuk ka sjellë emrat e përfaqësuesve të saj.
Vendimi i Kuvendit, që hyn në fuqi menjëherë, parashikon një afat një mujor të punës së komisionit. Kërkesa e deputetëve të PD-së parashikon që objekti i punës së komisionit të jetë hetimi për zbardhjen e plotë të fakteve dhe rrethanave të incidentit të datës 24 prill, si dhe hetim të plotë të veprimeve dhe përgjegjësive të individëve të përfshirë në këtë incident. Relacioni shoqërues i kërkesës parashtron fakte të hollësishme mbi dinamikën e ngjarjes. Po ashtu, kërkesa argumenton dhe përputhshmërinë ligjore të nismës së mazhorancës, në kuadër të veprimtarive të komisioneve hetimore parlamentare.
Incidenti ndodhi me 24 prill në përfundim të një takimi në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ku ishte i ftuar kryetari i PS-së. Ministria e Jashtme shqiptare, në një deklaratë për shtyp, akuzoi Ramën se ka përdorur dhunë verbale e më pas edhe fizike ndaj diplomatit Ceka, kur ky i fundit ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të PS-së.