E Diel, 1 Nëntor 2026

Padia, anulim të procedurës së zgjedhjes së kryetarit në Komunitetin Mysliman



Thellohen përçarjet dhe debatet e ashpra mes përfaqësuesve të dy rrymave në Komunitetin Mysliman. Madje, ato për herë të parë arrijnë për zgjidhje në Gjykatën e Tiranës. Disa anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman i janë drejtuar dje Gjykatës së Tiranës me një padi, ku kërkojnë shpalljen e pavlefshmërisë për mbledhjen e myftinjve në Kavajë, nga e cila pritet të dalë edhe kryetari i ardhshëm. Padia është depozituar nga avokati i tyre, Isuf Shehu, i cili u shpreh se “i jemi drejtuar gjykatës për zgjidhjen e këtij konflikti. Ne kërkojmë prej gjykatës që të pezullojë procedurat dhe të vendosë anulimin e zgjedhjes së kryetarit të komunitetit”. Një veprim i tillë hedh dritë mbi përçarjet brenda bashkësisë islame, që janë përfolur nën zë dhe që janë konkretizuar dje me një padi në Komunitetin Mysliman, si dhe zgjedhjet e pritshme më 21 mars për kreun e ri të këtij komuniteti. Avokati Shehu rendit edhe shkelje të tjera, madje një të tillë konsideron edhe mungesën e kandidatëve, përveç kryetarit aktual, Selim Muça. “Kjo është thjesht një lojë procedurale, që synon të mos njoftohen kandidatët e tjerë. Nuk mund të bihet dakord me lojërat brenda komunitetit”, - u shpreh avokati Shehu. Për herë të parë, debatet e ashpra mes palëve në këtë komunitet përfundojnë në gjykatë, ndonëse më parë ka pasur përplasje mes rrymave. Tashmë, pas depozitimit në gjykatë të kësaj padie, i takon Gjykatës së Tiranës të shprehet mbi anulimin ose jo të këtyre procedurave të kontestuara, pasi kërkesa-padia të hidhet në short.

Reagimi

Reagim të menjëhershëm ka pasur edhe nga kreu aktual i Komunitetit Mysliman shqiptar, Haxhi Selim Muça, i cili ka pranuar se në vend ka grupe të ardhura nga jashtë që kërkojnë të përçajnë myslimanët shqiptarë. “Ka kundërshtarë që po gënjejnë, manipulojnë dhe përçajnë. Disa njerëz nga Kosova dhe Maqedonia po acarojnë situatën dhe po sulmojnë Komunitetin Mysliman”, - u shpreh Muça. Pas padisë në gjykatë ndaj tij, kryetari Muça është përgjigjur edhe për akuzat në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve të 21 marsit nga ku do të dalin dhe organet e reja drejtuese të këtij institucioni. “Lajmërimin ne ua bëjmë myftinive në të gjithë republikën. Çdo gjë bëhet në përputhje me statusin. Unë kam të drejtën ligjore të shpall kandidaturën time dhe dyert janë të hapura edhe për kandidatët e tjerë”, - u shpreh Muça. Sipas tij, një ndër punët më të rëndësishme gjatë drejtimit të tij janë pronat e komunitetit, të cilat tashmë janë në proces.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›