Lajmi/Hungaria tërhiqet nga projekti “Nabucco” - Projekti TAP, pranë finalizimit

Projekti i gazsjellësit “Nabucco”, i mbështetur nga BE humbet një nga 6 partnerët kryesorë të projektit, kompaninë hungareze “MOL”. Gazsjellësi “Nabucco” është rivali i “South Stream”, i cili mbështetet nga Kremlini e që do të furnizojë me gaz Europën Juglindore. “South Stream” përfshin projektin TAP, projekt tubacioni gazi natyror, i cili do të transportojë gaz nga rajoni i Kaspikut nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe përtej Detit Adriatik, në Italinë e Jugut dhe më tej në Evropën Perëndimore.
Kryeministri hungarez ,Viktor Orban gjatë një fjalimi në një takim të grupeve të biznesit dhe diplomateve në Bruksel, tha se kompania hungareze e naftës dhe gazit “MOL” është tërhequr nga projekti i gazsjellësit “Nabucco”, që mbështetet nga Bashkimi Evropian.
Orban tha në Bruksel se “Nabucco është në telashe”. Ndërsa kompania MOL ka thënë se ende ka “shumë pasiguri rreth projektit ‘Nabucco’ që do të jenë të vështira të injorohen”.
Projekti “Nabucco” synon të sjellë gaz nga rajoni i Kaspikut dhe ndoshta vendet e Lindjes së Mesme.
Gazsjellësi i gjatë 3.900 kilometra kap hapësirën nga kufiri gjeorgjian deri në Austri, duke bartur rreth 31 miliardë metra kub gaz në vit.
Por, pas disa viteve të diskutimeve dhe konferencave ndërkombëtare ndërtimi ende nuk ka filluar dhe përfaqësues të “Nabucco” nuk kanë nënshkruar ndonjë kontratë me vendet e mundshme furnizuese. “MOL”, i cili u tërhoq, ishte një nga gjashtë partnerët e projektit. Projekti rival i Rusisë - South Stream - do të mbart dy herë më shumë gaz sesa “Nabucco” dhe ndërtimit i tij, pritet të nisë në fund të këtij viti.
Muaj më parë e përditshmja amerikane “New York Times” shkroi se e ardhmja e “Nabucco” është e vështirë. Kostot e larta për ndërtimin e gazsjellësit por edhe mungesa e furnizuesve të gazit e kanë bllokuar për momentin zhvillimin e projektit.
“Nabucco” është projekti më i madh evropian, i cili do të shërbejë për reduktimin e varësisë së kontinentit të vjetër nga gazi rus.