E Diel, 1 Nëntor 2026

Lakrori, zyrë në selinë e PS

 

Aristir Lumezi

Rivali i Ramës për postin e kryetarit, Maqo Lakrori, ka nisur fushatën për zgjedhjet e 26 shtatorit në PS. Lakrorit i është ofruar dhe një zyrë në selinë rozë, nga ku ai do të koordinojë të gjithë fushatën e tij, por do të presë dhe simpatizantët dhe mbështetësit e tij. I kontaktuar në telefon, Lakrori u shpreh se i është dhënë një zyrë në selinë rozë, ndërsa administrata e PS-së po e ndihmon në mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore për kreun e kësaj partie. Madje, Lakrori pohoi se nis që sot fushatën aktive në të gjithë vendin, duke filluar nga Tirana. Sot kandidati për kreun e PS-së, Lakrori, do të zhvillojë një takim me kryetarët socialistë të degëve të njësive vendore të kryeqytetit. Në ditët në vazhdim ish-sekretari socialist në PS do të zhvillojë takime dhe me asambletë e njësive vendore të Tiranës, ku do të paraqesë platformën e tij për të ringritur PS-në dhe të majtën në përgjithësi për ta sjellë atë në pushtet. Rivali i Ramës në këtë garë shprehet se do të zhvillojë një tur takimesh me strukturat e PS-së në të gjithë vendin, ndërsa nuk përjashton dhe një bashkëbisedim televiziv me Edi Ramën në një nga televizionet e njohura të vendit. Sipas tij, duhet vendosur një kulturë dhe traditë e re në politikën shqiptare, ku në një garë, dy konkurrentët të ballafaqohen përpara publikut për idetë dhe platformat e tyre. Kjo fushatë zgjedhore në PS po zhvillohet ndryshe nga garat e tjera, duket se ka një angazhim më të madh dhe hapësira më të mëdha për kandidatin përballë kryetarit socialist në detyrë. Në zgjedhjet e kaluara, Shkëlqim Meta, i cili nuk kishte kontributet e Maqo Lakrorit në PS, nuk u vlerësua aspak nga Edi Rama dhe strukturat e PS-së. Madje në shumë raste ai u pa si i bezdisshëm me daljet dhe deklaratat e tij publike, ndërsa nuk bëhej fjalë që ai dhe Rama të kishin dalje të përbashkëta në strukturat e PS-së apo në një ballafaqim publik në media. Mësohet se vendimi i Maqo Lakrorit për të garuar përballë Edi Ramës nuk ka qenë i lehtë për t’u marrë, por falë insistimit të simpatizantëve dhe militantëve të PS-së, ai vendosi të depozitojë kërkesën e tij dhe të përgatisë platformën e tij konkurruese. Lakrori është një nga themeluesit e PS-së në qershor 1991, madje ka qenë propozimi i parë, para se t’i propozonin Fatos Nanos, për t’u bërë kryetar i partisë së re, që do të dilte nga transformimi dhe reformimi i Partisë së Punës. Më pas Lakrori ka mbajtur poste të larta në Partinë Socialiste, si sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë, por dhe ministër socialist i Transportit. Rama dhe Lakrori janë dy kandidatët e vetëm në këtë garë, pas tërheqjes së Arben Malajt, ditën e mbajtjes së kongresit të jashtëzakonshëm të PS-së. Fjalimi i Ramës, sipas Malajt, ku i cilësoi të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai si armiq dhe mungesa e reflektimit dhe marrja e përgjegjësive për humbjen e PS-së në këto zgjedhje, ishin disa nga arsyet që Malaj të tërhiqej nga gara për kreun e PS-së. Por grupi i deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë së Asamblesë Kombëtare është shprehur se do ta vazhdojnë betejën e tyre në anëtarësinë socialiste për të treguar shkaqet e vërteta pse PS-ja humbi në këto zgjedhje.

Platforma
Maqo Lakrori, pesë muaj para zgjedhjeve, ka paraqitur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare një platformë për bashkimin e të gjithë të majtës në një grupim ose federatë për të hyrë të gjithë bashkë në zgjedhje si një formacion i vetëm politik. Në Asamble kjo platformë u la të diskutohej në mbledhjen e radhës, ndërsa mbledhja e fundit e Asamblesë u zhvillua në mënyrë festive, vetëm një muaj para zgjedhjeve, vetëm për të zyrtarizuar kandidatët për deputetë.

Kritikat
Anëtarë të Kryesisë, Asamblesë dhe delegatë të kongresit bëjnë përgjegjës Edi Ramën për humbjen e PS-së në këto zgjedhje. Duke mos anashkaluar manipulimet që i janë bërë zgjedhjeve nga ana e maxhorancës, këto qëndrime që janë përfaqësuar nga Blushi dhe Malaj citojnë si defekte të Ramës moskandidimin e tij për deputet, personalizimin e fushatës, mungesën e shpalosjes së programit elektoral dhe tezat e tij “përtej të majtës dhe të djathtës” që çoroditën elektoratin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›