E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përditësim

Leonard Demi 

Qeveria e re e Kryeministrit Berisha, në qendër të përpjekjeve të veta, ka vendosur qytetarin e thjeshtë shqiptar me synim fuqizimin e tij ekonomik, politik dhe qytetar në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë. Ky është thelbi i demokracisë së sotme, që, me terma të tjerë, quhet demokraci efektive Demokracia efektive është një standard më i lartë se demokracia elektorale.
 Sipas deklaratës së konstatimeve dhe konkluzioneve paraprake të OSBE/ODIHR, zgjedhjet e 28 qershorit vlerësohen për përputhshmëri me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës për zgjedhje demokratike. Një vend mund të ketë demokraci elektorale, por efektiviteti i kësaj demokracie shoqërohet me një infrastrukturë relativisht të zhvilluar, e cila përfshin zhvillimin ekonomik, arsimimin dhe pjesëmarrjen në proceset demokratike.
Bashkimi Europian e konsideron, sot, Shqipërinë një vend që ka shënuar përparim të madh në përmbushjen e kritereve politike të Kopenhagenit, të cilat përfshijnë: (i) stabilitet të institucioneve për të garantuar demokracinë, (ii) shteti ligjor, (iii) të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e minoriteteve (Progres Raporti i BE për Shqipërinë i vitit 2008). Falë pjekurisë të klasës politike që drejton vendin, Shqipëria gëzon stabilitet politik dhe shtet ligjor, i cili po forcohet dukshëm. 
    Legjislatura e kaluar shënoi një model të ri bashkëpunimi, duke hedhur themelet e një kulture të re politike në vendin tonë. Në demokracitë e reja ky lloj bashkëpunimi kaq domethënës, rëndom, arrihet me ndërmjetësinë e institucioneve të Bashkimit Europian apo ndërkombëtare si OSBE, por ne e arritëm vetë pa nevojën apo ndërmjetësinë e ndokujt, gjë që flet për një shkallë të lartë pjekurie të klasës politike shqiptare.
Në legjislaturën e re do të punojmë për të miratuar apo thelluar reforma në fusha të ndryshme, disa syresh mund të jenë mjaft komplekse, pasi ndërthurin interesa politike të të gjitha palëve dhe mbartin vështirësi për bashkëpunim. Por, jam i bindur se do të jemi të suksesshëm dhe deputetët e rinj do të përfitojnë mjaft nga tryezat e dialogut politik dhe miratimit parlamentar me konsensus.
Sot, ekonomia jonë, sipas standardeve dhe parimeve liberale, vazhdon të zhvillohet me ritme të kënaqshëm dhe të qëndrueshëm. Prodhimi i Brendshëm Bruto në terma realë për frymë të popullsisë është rritur me 80%. Për tre vjet, qeveria ofroi një buxhet dy herë më të madh se në vitin 2005 (nga 169 në 334 miliardë lekë), gjë që i dha mundësinë vendit të përballojë rënien ekonomike ndërkombëtare. Qeverisja efektive e zotit Berisha dominoi fenomenet e informalitetit, evazionin fiskal dhe korrupsionin administrativ. Rriti efektivitetin e përdorimit të fondeve publike, rriti rrogat dhe pensionet, duke tejkaluar me 30% rrogat dhe pensionet e disa vendeve anëtare të BE-së. Paga mesatare e tregut të punës është rritur 47%. Niveli i inflacionit është i qëndrueshëm dhe më i ulëti në rajon. Në katër vitet që vinë, këta tregues do të rriten ndjeshëm në të mirë të çdo shqiptari.
Investimet e huaja në Shqipëri të të katër viteve të fundit nuk mund të krahasohen me vitin e tyre paraardhës (vetëm në periudhën dhjetor 2008-janar 2009 janë firmosur 3.5 miliardë euro kontrata në fusha të ndryshme). Po kështu, u ndërtuan apo rikonstruktuan më shumë se gjysma e shkollave të vendit dhe, pothuajse, çdo shkollë po pajiset me kabinet informatik që shfrytëzon internetin.
Në katër vitet e ardhshëm, qeveria e re ka në programin e vet kthimin e Shqipërisë në një fuqi të vërtetë energjetike rajonale. Sot, janë të firmosura mbi 50 kontrata në këtë fushë. Por, arritja më e madhe e kësaj qeverie do të jetë Rinovimi domethënës i Sistemit Kombëtar si mekanizmi që do ta integrojë shpejt Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe në sistemin ekonomik global.
Ky Sistem përbëhet nga nëntë tregues, si: (i) lëvizshmëria e kapitalit, (ii) fleksibiliteti në menaxhimin e kërkesave për punë, (iii) gatishmëria dhe shpejtësia e qeverisë për t’iu përgjigjur kërkesave të biznesit, (iv) zhvillimi i infrastrukturës të sektorit privat, (v) teknologjia e informacionit, (vi) sistemi ligjor për të mbrojtur pronën intelektuale, (vii) kapitali shkencor dhe njerëzor, (viii) shprehitë e marketingut dhe (ix) aftësia për të inkurajuar krijimin. Po ndalem në katër syresh:
i. Shqipëria siguron lëvizjen e lirë të kapitalit lidhur me investime direkte në shoqëritë e krijuara në përputhje me legjislacionin e vendit pritës, si dhe likuidimin e tyre ose riatdhesimin e këtyre investimeve dhe të çdo përfitimi që rrjedh prej tyre. Ne sigurojmë lëvizjen e lirë të kapitalit të kredive që lidhen me transaksionet tregtare ose ofrimin e shërbimeve. Po kështu, sigurojmë lëvizjen e lirë të kapitalit të kredive që lidhen me huat financiare dhe kreditë me afat maturimi më të gjatë se një vit, duke synuar në afate më të shkurtra maturimi etj.
iii. Pos, klimës së përgjithshme pozitive dhe fuqizimit të shtetit ligjor, biznesi shqiptar është mbështetur drejtpërdrejt nga ulja e taksave. Më lejoni të përmend disa, si: përfitimet e konsiderueshme që vijnë nga ulja e tatimit mbi fitimin dhe tatimin mbi dividentin (nga 23% në 10%), nga tatimi mbi të ardhurat personale, nga taksa e punës (e cila është ulur mbi 34%) etj. Nga ana tjetër, biznesi paguan 33% deri në 45% më pak energji elektrike pasi është ulur çmimi i energjisë 33%-45%, kurse biznesi i vogël paguan 50% më pak taksa. Po kështu, qeveria ka ulur një numër të konsiderueshëm tarifash dhe detyrimesh doganore.
iv. Në kuadër të Llogarisë së Mijëvjeçarit ka përfunduar projekti i barrierave administrative. Sot funksionon Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit, e cila kryen veprime online dhe brenda ditës. Plotësimi i dokumentacionit dhe pagesa e detyrimeve tatimore mund të bëhet online. Parlamenti miratoi procedurat e reja për lëshimin e lejeve dhe licencave, të cilat do të lëshohen nga Qendra Kombëtare e Licencimit. Janë miratuar ligje të reja në përputhje me direktivat e BE-së për prokurimet publike, licencimin, urbanistikën, ligji për procedurat tatimore etj. Që nga janari 2009 prokurimi i fondeve publike bëhet vetëm në formë elektronike. Është në proces reforma e pronës dhe regjistrimi i titujve të pronësisë.
v. Për sa i përket zhvillimit të sektorit të teknologjisë së informacionit, sot, në Shqipëri operon Korporata Mikrosoft, e cila po punon për zhvillimin e teknologjisë së informacionit në vend, si në krijimin e një qendre inovacioni, përmirësimin e kapaciteteve të kompanive lokale në fushën e teknologjisë së informacionit, përmirësimin e kapaciteteve lokale për të ofruar zgjidhje për bizneset dhe institucionet e tjera të vendit; krijimin e një strukture për përgatitjen dhe zhvillimin e specialistëve shqiptarë të teknologjisë së informacionit; krijimin e një portali qeveritar, i cili do të ofrojë informacion nga qeveria për qytetarët dhe bizneset, për shkëmbimin e informacioneve brenda institucioneve qeveritare, duke përfshirë prokurimet dhe taksat online; pa përmendur këtu pajisjen e të gjitha shkollave me këtë teknologji.
 Në katër vitet e ardhshëm, qeveria e re do të thellojë më tej bashkëpunimin rajonal dhe Tirana do të rrit aktivitetin e vet si një qendër ballkanike miqësie, mirëkuptimi, bashkëpunimi për siguri, reforma dhe zhvillim.
Në konferencën e tij të parë për shtyp, Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, më 3 gusht 2009 bëri të njohura përparësitë e politikës së Aleancës për katër vjetët e ardhshëm, ku bien në sy: ndihma për Afganistanin, bashkëpunimi me vendet e dialogut mesdhetar dhe iniciativës së Stambollit, situata në Kosovë, realizimi i Konceptit të ri Strategjik të Aleancës etj.
Në mbështetje të politikës së NATO-s dhe të presidentit Obama, kryeministri, më 11 gusht 2009, përcolli kontingjentin e parë shtesë për në Herat të Afganistanit (Shqipëria ka në Afganistan, si pjesë e misionit ISAF, 251 trupa, të cilat janë të instaluara në Kabul dhe Herat, pos Afganistanit, Forcat tona të Armatosura shërbejnë në Çad, Gjeorgji dhe Bosnjë).
Shqipëria, sipas mundësive të veta, do të vazhdojë të kontribuojë në të gjitha misionet e udhëhequra nga NATO dhe BE. Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij e re do të jenë thellësisht të angazhuar në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, me synim integrimin e shpejtë euroatlantik të të gjithë Ballkanit Perëndimor për të qenë të bashkuar në demokraci, në respektimin e lirive individuale dhe shtetin ligjor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›