E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha dhe Meta, dasmë turpi

 

BLEDAR HOTI

Kryetari i PS-së, Edi Rama paralajmëron radikalizmin e qëndrimeve të partisë së tij ndaj Qeverisë së re, që pritet të formohet pas 7 shtatorit. Sërish Rama nuk ka ngurruar të dalë përpara medias, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të një dite më parë kryeministrit në lidhje me paralajmërimet për bojkotimin e Kuvendit nga partia më e madhe e opozitës. “Sali Berisha, i cili së bashku me Ilir Metën, po përgatiten për dasmën e turpit të madh politik, por në asnjë mënyrë nuk mund që të gjithë atë, që ky proces i solli Shqipërisë dhe shqiptarëve ta fshijnë dhe ta lënë pas krahëve. Do ta kenë në mënyrë të vazhdueshme përpara syve, siç do e kenë përpara syve të gjithë shqiptarët e shqiptaret dhe i gjithë opinioni publik dhe ndërkombëtar. Sepse ne jemi të vetëdijshëm për faktin e thjeshtë, se kjo maskaradë zgjedhore nuk mund të prodhojë institucione me legjitimitet të plotë dhe njëkohësisht me institucione me legjitimitet të cunguar, nuk mund të ketë demokraci, liri dhe prosperitet, por vetëm thellim të mëtejshëm të një krize të rënë, që është një krizë demokratike, që është një krizë e shtetit të së drejtës, që është krizë ekonomike dhe shoqërore”, deklaroi Rama. Kryesocialisti shtoi se “të gjitha këto përbëjnë një prelud alarmant për këtë sezon të ri të politikës, që për fat të keq ngjan si dy pika uji me sezone të vjetra, që mendonim se i kishim lënë një herë e përgjithmonë pas krahëve”. Kreu i PS-së insistoi sërish në ato që ai i cilësoi si maskaradë zgjedhore me lirimet e të burgosurve nga ana e Qeverisë. “Trajtimi nga ana e Kryeministrit të vendit, i lejeve të dhëna për këta vrasës, për këta trafikant, për këta përdhunues si procedurë e zakonshme administrative, që do të vazhdoj normalisht është shprehja më shembullore e faktit se ky bashkëpunim ka qenë i qëllimshëm, se ky bashkëpunim ka qenë i strukturuar, se ky bashkëpunim ka qenë për qëllimin e vetëm të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit, duke abuzuar skaj më skaj me shtetin dhe me ligjin”, tha ai. Sipas tij, PS nuk ka folur për procedura standarde ligjore, por për shkelje të hapur dhe flagrante të ligjit. “Rastet e paraqitura prej nesh, të siguruara prej burimeve konfidenciale, plotësisht të verifikueshme, nuk janë raste të njerëzve që kryejnë dënimin dhe marrin një leje të zakonshme standard brenda gjithë procedurave. Por janë raste të shkeljes flagrante të kushteve që parasheh ligji për lejen e çdo të dënuari, që të kapërcej pragun e burgut. Jemi në kushtet e një operacioni kriminal, të organizuar nga vet autoriteti shtetëror, që ka me ligj të drejtën që të japë lejet e daljes së burgosurve, por që është tërësisht i kufizuar nga ligji për kushtet që jepen këto leje”, theksoi Rama.
Këta persona, PS pretendon se janë “përdorur për të ushtruar autoritetin e tyre mafioz në funksion të fushatës elektorale, të pushtetit dhe Sali Berishës. Çdo lloj insinuate qesharake, e bërë lidhur me këtë aspekt kriminal të procesit zgjedhor, nuk e shfajëson, por e fajëson edhe më shumë Kryeministrin e vendit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›