PD: Rama të japë prova për implikimin e të burgosurve
Partia Demokratike i kërkon kreut të PS-së, Edi Rama t’i faktojë akuzat e bëra në adresë të kryeministrit për lirimin e të burgosurve dhe për t’i përdorur ata në fushata elektorale. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli deklaroi dje se “sërish shoku Rama doli në bace, i shfazuar dhe në një ezauriment mendor sa tragjik aq edhe komik, duke ripërsëritur fobinë e fundit të tij të sindromit të krijuar nga humbja e zgjedhjeve”. “Pasi akuzoi me dhjetëra e dhjetëra herë komisionerët socialistë të së gjitha niveleve për mungesë integriteti, e mbasi akuzoi mediat për breshëri sulmesh ndaj tij, tani ka disa ditë rresht që merret me të burgosurit, të cilët u lejuan të shkojnë me leje në shtëpitë e tyre në përputhje me një praktikë të së gjitha vendeve demokratike. Sërish i përsërisim z.Rama se të burgosurit janë lejuar dhe do lejohen të shkojnë në shtëpitë e tyre në zbatim të një rregulli që ekziston në çdo vend të lirë”, deklaroi Mëhilli. Ajo theksoi se “z. Rama pati shansin sot të paraqiste qoftë edhe provën më të vogël të ndërhyrjes apo implikimit të tyre në procesin zgjedhor por nuk e bëri”. “Nëse z.Rama disponon qoftë edhe faktin më të vogël, jo lista por fakte, është i ftuar t’i bëjë publike, por të sulmojë qytetarët e këtij vendi vetëm se ata janë të burgosur e t’u atribuojë akuza pa faktuar shkelje ligji dëshmon vetëm se nga frika, tmerri dhe pikëllimi nuk di se çfarë flet. E përsërisim që i vetmi rast i evidentuar është ai i Emiljano Kecit, i cili sapo u lirua me leje u shndërrua në bodyguardin e armatosur të Blendi Klosit”, tha Mëhilli.