Nis fushata zgjedhore në PS, Gjonçaj: Transparencë maksimale
Pas regjistrimit të kandidatëve zyrtarë në Komisionin Zgjedhor të PS-së, afat që ka përfunduar dje, sot nis zyrtarisht fushata e kandidatëve në garën për kreun e kësaj partie. Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS, Genc Gjonçaj u shpreh dje se Kodi Zgjedhor në këtë parti garanton një garë të hapur dhe transparente për të dy kandidatët. “Sot ka përfunduar afati i regjistrimit pranë Komisionit Zgjedhor Qendror në PS të kandidatëve që garojnë për kreun e PS-së. Ka rregulla të shkruara që sigurojnë të gjithë transparencën maksimale për kandidatët të cilët do të garojnë për zgjedhjen e kryetarit të partisë. Mundësia e tyre fillon që në momentin e veprimtarisë së Komisionit Zgjedhor të partisë, ky komision që ne kemi drejtuar sot. Pra, ata kanë të drejtë të kenë përfaqësues të përhershëm pranë këtij komisioni. Sikundër në të gjitha komisionet e niveleve të dyta dhe të treta, të cilat do të ngrihen në ditët në vijim”, u shpreh Gjonçaj. Për të organizuar gjithë procesin e zgjedhjeve në PS janë ngritur 37 komisione zonale në rrethe dhe 384 nënkomisione në komuna e bashki. Votimi do të zhvillohet në të njëjtën ditë në të gjithë vendin, në 26 shtator, ashtu siç vendosi Kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së dhe do të nisë në orën 8 të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 16.00 të pasdites. Pas tërheqjes së Arben Malajt nga gara, përballë njëri-tjetrit do të jenë Edi Rama dhe Maqo Lakrori. Procesi zgjedhor do të administrohet nga Komisioni Zgjedhor në PS, në krye të të cilit është juristi i njohur i PS-së, Genc Gjonçaj, i cili përfaqësoi PS-në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në garën e fundit elektorale për parlamentin shqiptar. Grupi i deputetëve dhe anëtarëve të Asamblesë akuzuan Edi Ramën se nuk garanton garë të ndershme dhe të barabartë për postin e kryetarit, për shkak të pozicionit që kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS, Gjonçaj, është i punësuar në Bashkinë e Tiranës. Kjo, sipas tyre, nuk garanton barazi në këtë garë, pasi ai do detyrohet të mbajë njëanshmëri në vlerësimin e votave. Në PS, votimi sipas parimit “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e kryetarit të PSSH-së zhvillohet për herë të dytë, pas atij të 2007, kur Rama mori mandatin e plotë të kreut të PS-së.