E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala: “Han si Rinus Mishels me Holandën, do futboll sulmues”



Trajneri holandez Ari Han, tekniku i katërt huaj i Shqipërisë në pesë vitet e fundit në bankinë, pas fitores në testin përgatitor me modestët e zviceranëve të Schafhauzenit (3-1), do të përballet të martën në provën e parë reale. Polonia, një prej 16 finalistëve të Kampionatit Europian 2008, është për herë të 11-të kundërshtari i Shqipërisë, qysh kur dy skuadrat janë takuar për herë të parë në vitin 6 nëntor të vitit 1949.
Takimi miqësor në Reutlingen të Gjermanisë (20:30), ku përballë njëri-tjetrit do të jenë dy teknikë holandezë: Han vs. Benaker do të vëzhgohet nga një mysafir VIP, trajneri i kombëtares gjermane, Joakim Lëv. Interesimi është i real, pasi Polonia është kundërshtari i parë i Balakut me shokë në finalet e Euro 2008.
Shqipëria prej datës 20 maj është duke u përgatitur në Gjermani dhe ish-trajneri i Kinës, tashmë ka krijuar një përfytyrim të mjaftueshëm për titullarët me të cilët do të përballojë elimnatoret e Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”.
Kapiteni i kombëtares shqiptare Altin Lala është dhe një nga lojtarët, që jo vetëm ka punuar me tre paraardhësit e huaj të Hanit: Dosena, Brigel e Bariç, por edhe me tre trajnerët e fundit shqiptarë të përfaqësueses: Demollari, Zhega e Hafizi.
Mesfushori shkatërrues me përvojë të gjatë në Bundesligë dhe një lider te Hannover 96 thotë për trajnerin Han: “Holandezët luajnë një futboll më ofensiv dhe për këtë do të përpiqemi edhe ne si skuadër, për të qenë më ofensivë sesa me Bariçin”. Por, a është përshtatur ekipi me këtë frymë të re? Lala shton: “Kemi bërë gjithë ato stërvitje, thuajse dy herë në ditë. Ka parë dhe ka provuar disa lojtarë, për të parë se dhe cili pozicion është më i përshtatshmi për ta. Shpresoj se në të ardhmen skuadra do të jetë akoma edhe më e mirë”. Bariç njihej si një mjeshtër i taktikës. Por, sa të aftë do të jenë lojtarët për t’u përshtatur me skemat “fluturuese” të ish-nënkampionit të botës me Holandën e vitit 1974 dhe atë 1978. “E rëndësishme është që trajneri t’ua shpjegojë lojtarëve në fushë vendosjen. Secili lojtar ka detyrë të japë maksimumin”. Kroati 75-vjeçar, Oto Bariç përkundër moshës së tij, ishte një teknik i “dashuruar” me lojtarët e rinj. Togfjalëshi “revolucion kuqezi” është personifikuar shpesh me strategjinë e tij. “Është e natyrshme që do të vazhdojë, - thotë Lala, -pasi është edhe detyra e tij (Hanit) që të shohë lojtarë të rinj, talente që luajnë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë”.
Shqipëria ndodhet në një grup shumë të vështirë në eliminatoret e Kampionatit Botëror së bashku me Suedinë, Portugalinë, Danimarkë, Hungarinë e Maltën. “Pa dyshim që kemi objektiva, por atë do ta tregojmë në fushë kur edhe të vinë ndeshjet kualifikuese. Shpresoj që atëherë të jemi në formë”, - thotë Lala.
Në ndeshjen e fundit miqësore me Poloninë, tri vjet më parë, kur Shqipëria drejtohej nga gjermani Brigel humbëm 1-0. “Është një ndeshje e vështirë. Do të shohim më shumë sesi do të funksionojmë si ekip, pavarësisht se është kohë e shkurtër, e së fundi na kanë munguar disa lojëra të tjera për trajnerin, për ta vendosur skuadrën akoma më mirë”.

FIFA
Shqipëri-Poloninë: 79-23

Polonia renditet në vendin e 23-të me 848 pikë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s për muajin maj. Shqipëria ndodhet në vendin e 76-të me 407 pikë. Në renditjen europiane, Polonia ndodhet në vendin e 18-të, ndërsa Shqipëria në të 39-in.

Han, trajneri i shtatë që ndeshet me Poloninë

Holandezi Ari Han do të jetë trajneri i shtatë i përfaqësueses shqiptare që do të përballet me Poloninë në ballafaqimin e 11-të midis dy kombëtareve respektive, përfshirë ndeshjet zyrtare dhe ato miqësore. Han do të jetë gjithashtu, trajneri i tretë i huaj në bankinën e Shqipërisë që do të përballet me Poloninë, pas hungarezit Miklosh Vadas dhe gjermanit Hans Peter Brigele. Miqësorja e 27 majit kundër Polonisë të drejtuar nga holandezi Leo Benhaker është njëherësh edhe e pesta midis vendeve, qysh kur Polonia dhe Shqipëria u përballën për herë të parë, më 6 nëntor të vitit 1949, takim i përfunduar me fitoren e polakëve 2-1. Madje edhe ballafaqimi i fundit me Poloninë ka qenë një ndeshje miqësore, e zhvilluar më 29 maj 2005 në Szczecin dhe të humbur 1-0.

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›