E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e Kosovës, marrëveshje për ligjin i ri zgjedhor



Krerët e institucioneve dhe ato të partive politike parlamentare në Kosovë kanë rënë dakord që të përkrahin në parim një sistem të ri zgjedhor që dallon pak nga ai i vjetri. Agjencia e lajmeve BBC ka bërë të ditur se krerët politikë kanë arritur marrëveshjen që Kosova të vazhdojë të mbetet një njësi zgjedhore dhe që sistemi zgjedhor të jetë proporcional. Sipas marrëveshjes në parim do të duhej të ruhej ndarja automatike e vendeve në parlament për pakicat, në veçanti serbët e Kosovës, si dhe përfaqësimi me 30 për qind i grave. Marrëveshja është arritur me kundërshtime të një numri të vogël partish mbi njësitë zgjedhore dhe në veçanti mbi rregullin e ri që partitë në zgjedhje të kenë kryetarin e tyre bartës të listës dhe një anëtar tjetër të përzgjedhur, nga 10 syresh sa kanë qenë deri tash. Ligji për zgjedhjet do të duhet të jetë i gatshëm me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës më 15 qershor dhe ai është i parashikuar edhe me paketën “Ahtisari”.
Sipas kësaj pakete Kosova do të duhej të hynte në zgjedhje të reja nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës dhe partitë politike e kanë përkrahur një qëndrim të tillë.

Hagë, nis debati për padinë e Kroacisë kundër Serbisë

Ka filluar dje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë debati për padinë që Kroacia ka ngritur kundër Serbisë për gjenocid. Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se debati parashikohet të përfundojë më 30 maj dhe do t`i kushtohet ankimimit të Serbisë për kompetencat e gjykatës dhe pranueshmërinë e padisë kroate. Serbia me anë të një ankimimi kontestoi kompetencën e gjykatës për padinë e Kroacisë, duke argumentuar se në momentin e parashtrimit të saj në vitin 1999, Republika Federale e atëhershme e Jugosllavisë nuk ka qenë anëtare e OKB-së, as nënshkruese e Konventës për gjenocid, që është kusht i domosdoshëm për gjykatën më të lartë të OKB-së.
Kroacia në padi pohon se Beogradi zyrtar është përgjegjës për “pastrimin etnik” të qytetarëve kroatë si “formë e gjenocidit”, për shkak se ka kontrolluar drejtpërsëdrejti aktivitetet e forcave të veta të armatosura, kundërzbuluesve dhe atyre paraushtarake, që kanë kryer krime në territorin e Kroacisë.

Irak, kamikazi vret gjashtë policë dhe plagos 18 tjerë

Në një sulm vetëvrasës në lindje të Bagdadit janë vrarë gjashtë policë irakianë derisa 18 tjerë janë plagosur, kur një kamikaz i pajisur me bomba është futur në ndërtesën e policisë lokale të qytetit Tarami ka njoftuar agjencia e lajmeve “Voice of Iraq”.
Kamikazi i pajisur me bomba dhe motoçikletë ka pasur shënjestër stacionin lokal policor irakian i njohur edhe si Këshilli për ringjallje në qytetin Tarami në lindje të kryeqytetit irakian Bagdad.

OKB: Rusia, përgjegjëse për incidentin ajror në Gjeorgji

Kombet e Bashkuara mbështetën versionin e Gjeorgjisë rreth incidentit të muajit të kaluar, që tensionoi raportet e këtij vendi me Rusinë. Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bilt, tha se raporti i OKB-së konkludon se Rusia është përgjegjëse, pasi ka qëlluar mbi aeroplanin gjeorgjian, në rajonin e Abkhazisë, më 20 prill. Rusia i ka mohuar akuzat për cenim të hapësirës ajrore të Gjeorgjisë, duke thënë se aeroplanin e kanë qëlluar separatistët nga Abkhazia.

BE-ja dhe Bosnja fillojnë negociatat për vizat

Bashkimi Europian filloi negociatat me Bosnjën për lehtësimin e vizave. Zëvendës presidenti i Komisionit Europian Zhakes Barrot u shpreh se në këtë rast Bosnja paraprakisht duhet të plotësojë disa kushte si: pasaportat biometrike, mbrojtjen e kufijve dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit. Komisionari për Zgjerim Oli Rehn u shpreh optimist se Bosnja gjatë muajit të ardhshëm do të nënshkruajë edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Japoni, dënohet me vdekje vrasësi i prefektit të Nagasakit

Një gjykatë japoneze ka dënuar me vdekje personin që vrau prefektin e qytetit japonez, Nagasaki. Lajmi u bë i ditur nga agjencia e lajmeve “Reuters”. Tetsuja Shiru, 60 vjeçar, ka qëlluar me armë zjarri dy herë në shpinë prefektin Iho Ito gjatë fushatës për rizgjedhje në prill 2007. Kjo vrasje kishte tronditur mbarë Japoninë gjatë asaj periudhe që mbahet mend nga secili, pasi krimet me armë zjarri janë të rralla dhe posedimi i armëve është i ndaluar.

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›