E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala: “Luaj me Hanoverin, mund të luaj dhe për Kombëtaren”

Autori i Lajmit: Redaksia

Tiranë - Për herë të fundit kapiteni Altin Lala dha kontributin e tij në fushë për kuqezinjtë në barazimin historik 0-0 me Portugalinë në Braga (15 tetor 2008, në bankinë ishte holandezi Ari Han), ndërkohë që mungoi në pesë ndeshjet e fundit zyrtare dhe tri miqësoret e zhvilluara nën drejtimin e trajnerit kroat, Josip Kuzhe. I rikthyer pas gati 16 muajsh në gjirin e Kombëtares, Altin Lala, 34 vjeç, lojtari me më shumë ndeshje në grupin aktual, 71 të tilla, “xhuxhi luftarak” i Hanover 96 ka të njëjtin humor me gazetarët dhe personalitet të fortë si futbollist, edhe pse gjatë konferencës për shtyp në hotel “Dyrrah” ishte për herë të parë në krah të trajnerit Kuzhe. “Kam pasur biseda dhe me trajnerin (Kuzhe), i cili ka ardhur edhe në Hanover. I kam shprehur atij gatishmërinë time. Nëse unë aktivizohem me ekipin tim (Hanover 96, Bundesliga 1) dhe nga ana fizike jam mirë, atëherë pse nuk duhet të jem me Kombëtaren”. Lala është i vetëdijshëm për kontributin e tij, por dhe të futbollistëve të tjerë të thirrur. “Kombëtarja ka nevojë për shumë lojtarë, të cilët aktivizohen, janë në formë të mirë. Edhe unë besoj se jam në formë të mirë dhe mund të jap kontributin tim”. Altin Lala ka veshur për herë të parë fanellën e Kombëtares, 12 vjet më parë, pikërisht më 21 janar të vitit 1988, në ndeshjen miqësore kundër Turqisë, të fituar 4-1 në Gaziantep (trajner Astrit Hafizi) dhe ka qenë pjesë e fushatave kualifikuese të tre kampionateve evropiane (Euro 2000, 2004 dhe 2008) dhe tre kampionateve botërore (2002, 2006 dhe 2010) dhe ka qenë dëshmitar i ulje-ngritjeve të Shqipërisë midis vendit të parafundit apo dhe një vendi më lart, apo të përkthyer në gjuhën e “vazove”: 4 dhe 5. “Secili lojtar që luan me Kombëtaren, natyrisht, është krenar që ta japë sa më shumë për këtë sport, që ta çojë sa më parë e sa më lart skuadrën në renditje. Nëse do ta çonim Shqipërinë një vazo me lart, për ata lojtarë që do të vinë më pas, patjetër do ta lënë më të lehtë që dhe ata ta çojnë më lart. Unë do të doja edhe si tifoz ta shihja Shqipërinë në një finale të Kampionatit Botëror apo Evropian. Do të ishte edhe një plotësim i ëndrrës sime”. Altin Lala, i cili si kundërshtar ka luajtur kundër katër prej pesë ekipeve që ka në grup Shqipëria, Rumaninë, Bjellorusinë, Bosnjën dhe Luksemburgun, duke përjashtuar këtu Francën, ndaj së cilës Shqipëri është ndeshur në vitet 1990-1991, dha dhe vlerësimin e tij për grupin tonë (D) eliminator të Kampionatit Evropian të vitit 2012. “Duke parë skuadrat, Franca është favorite, por dhe Rumania, Bosnja janë të tilla. Edhe Bjellorusia nuk është një kundërshtar i lehtë. Të linim dy skuadra pas (vendi i katërt) do të ishte sukses i madh për ne. Unë mund të thosha se do të dalim në vendin e parë, por kjo nuk është realiste. Nuk duhet të ëndërrojmë kot. Për mua realiste dhe shumë pozitive do të ishte të linim dy skuadra pas”, - përfundon “mendjeftohti” Lala, tashmë edhe një biznesmen i suksesshëm i kompanisë “Rosman&Lala”, me disa dyqane luksoze në Shqipëri.

Ky lajm është publikuar: 03/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›