E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, Qeveria shet për skrap nëndetëset

Autori i Lajmit: Redaksia
Qeveria shqiptare vendosi dje shitjen për skrap të dy nëndetëseve të ushtrisë shqiptare, të emërtuara me emrat “Tufani” dhe "Vetëtima".
Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, ku me procedurën e shitjes së tyre do të merret Ministria e Mbrojtjes. Burime nga qeveria bëjnë me dije se është fjala për nëndetëset: “Vetëtima”, me numër 334 me tonazh skrap, çeliqe dhe bakër 650 tonë si dhe nëndetësen “Tufani”, me numër 332 me tonazh skrap, çeliqe dhe bakër 650 tonë.
Rrëzohet ideja për mbytje
Kështu, është rrëzuar ideja e mëparshme për mbytje të këtyre gjigantëve të ndryshkur, ashtu siç kishte ndodhur me njërën prej nëndetëseve, rreth një vit më parë, e cila u zhduk nga moli ku ankorohej prej 15 vitesh, në prillin e vitit 2009, ditën kur efektivët e Ushtrisë po festonin 96-vjetorin e Ditës së Kapitenerisë Shqiptare. Ishte një nëndetëse diesel e klasit “613 Whiskey”, prodhim i vitit 1957, me gjatësi rreth 75 metra dhe peshë rreth 1000 tonë DËT. Mjeti lundrues ka qenë për vite të tëra flamurtar i flotiljes së vogël, trashëgim nga epoka e miqësisë shqiptaro-sovjetike. Nëndetësja ishte mbytur nga vetë ushtarakët, me urdhër të gjeneral-brigade Maksim Malajt, dhe arsyeja ishte frika se mjeti lundrues mund të shitej për skrap, siç ka ndodhur me një pjesë të arsenalit ushtarak shqiptar të trashëguar nga diktatura komuniste.
Vendimi i 98-s për shitjen e mjeteve ushtarake
Një vendim qeverie nr. 828, dt 30.12.1998 “Për shitjen e mjeteve dhe teknikës luftarake të ushtrisë, të dala jashtë përdorimit në formën e skrapeve”, ndryshuar me vendimin Nr. 444, datë 26.9.2002, të KM” e lejonte këtë destinacion. Në kuadër të ristrukturimit të Forcave Detare, dy nga këto nëndetëse, me VKM nr. 828 datë 30.12.1998 ishte vendosur të shiteshin në formën e skrapit që nga ajo kohë.
Planet e dështuara për nëndetëset
Nëndetëset, këto relikte të Luftës së Ftoftë, nuk mund të qëndrojnë më aty ku janë. Asgjë nga planet e hershme në lidhje me to nuk u përmbush: Asnjëra prej tyre nuk u vendos në Gjirin e Vlorës ku ishte planifikuar për të qenë përballë Akademisë Detare. Këto nëndetëse tashmë nuk mund të shërbejnë as si dekor, as për qëllime mësimore apo muzeale. Një nga ish-komandantët e Flotës Detare në vitet 90, Gjeneral Vladimir Beja na thotë se tashmë është tepër vonë për të shpëtuar fatin e nëndetëseve. “Ato sot janë krejt të abandonuara, nuk kanë asnjë mundësi që të mbahen dhe të riparohen. Kjo gjë duhet të ishte bërë që 15 vjet më parë e më tepër, në kohën kur isha unë komandant flote. Atëherë ishte menduar që të riparohej njëra prej tyre dhe të mbahej si anije-shkollë, që të ruhej edukimi i nënujësit (marinarit të nëndetëses). Por sot asnjëra prej tyre nuk mund të mbahet më. Nuk kanë as vlera ushtarake dhe as muzeale. Shitja për skrap është tani pastrimi i mbeturinave”, thotë gjenerali Beja.

Fitim Halili

Në vitet 70 pati oferta për
shitjen si vlerë muzeale

Ish-komandanti i flotës në vitet 70, Fitim Halili na tregon se për këto nëndetëse vite më parë ka pasur përveç kërkesave për tu shitur për skrap, edhe ndonjë ofertë për ta shitur një nëndetëse për vlera muzeale. Por sot ato nuk kanë më asnjë vlerë muzeale,- thotë ai,- ide që ishte e mundshme shumë vite më parë. Madje, do të thosha se në gjendjen ku janë katandisur, edhe shitja për skrap e tyre humbet vlerë sa më shumë që shkon koha”. Dy vjet më parë, ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i premtoi Republikës Çeke se njërën prej tyre do tia dhuronte për vlerat muzeale që ajo mbart. Sipas medieve çeke, dhurimi i nëndetëses nga Shqipëria ishte një arritje e madhe, por vendi në Evropën Qendrore nuk ka dalje në det dhe kjo dhuratë nuk u bë dot e mundur.

Gjeneral Ndue Jaku

Dy nëndetëse duhet ti
kishim shpëtuar për flotën

Ndue Jaku, një tjetër ish-komandant i Flotës Detare ndjen keqardhje për fatin e nëndetëseve sikurse edhe kolegët. Por ai e shikon këtë humbje në planin ushtarak. “Unë e di se katër nëndetëse janë një barrë shumë e rëndë, se edhe gjatë kohës kur kishim flotën e rëndë, kishim probleme për gatishmërinë teknike të nëndetëseve. Por dy nëndetëse duhet ti kishim mirëmbajtur që të mos shkatërroheshin. Të kishim bërë marrëveshje me një shtet, duke i dhënë dy nëndetëse atij e duke përfituar riparimin e dy të tjerave prej tij, që do të na mbeteshin ne. Kurse tani ato kanë mbaruar krejt. Nuk është e saktë se këtyre nëndetëseve u mbaroi afati dhe u amortizuan menjëherë. Ato kishin probleme me bateritë apo me aparaturat e presionit të lartë, dhe këto mund të ndreqeshin. Nëndetësja ka një gjë: Jetëgjatësia e tyre varet nga sasia e zhytjeve dhe thellësia. Nëndetëset tona nuk kishin sasi të madhe zhytjesh. Dhe trupi i fortë i nëndetëseve ka qenë deri në fund brenda parametrave, por kishte disa dobësi tek birrat jashtë bordit. Këto mund të rregulloheshin sikur të uleshim edhe me Turqinë. Kjo mund të bëhej që në 91-92. Sot nuk ka fat tjetër veç skrapit”.

Lista e anijeve në
dispozicion për shitje

1. Nëndetëse 331 (Stuhia) me tonazh skrap, çeliqe dhe bakër 650 tonë

2. Nëndetëse 332 (Tufani) me tonazh skrap, çeliqe dhe bakër 650 tonë

3. Nendetese 333 (Rrufeja) me tonazh skrap, çeliqe dhe bakër 650 tonë
4. Nëndetëse 334 (Vetëtima) me tonazh skrap, çeliqe dhe bakër 650 tonë

5 Katër silurues 103 (Shqiponja) me tonazh skrap, alumin 25 tonë

6 Katër silurues 202 (Partizani) me tonazh skrap, alumin 14 tonë

7 Katër silurues 204 (Sulmuesi) me tonazh skrap, alumin 14 tonë

8 Katër silurues 205 (Shqiponja) me tonazh skrap, alumin 14 tonë

9 Katër silurues 206 (Besniku) me tonazh skrap, alumin 14 tonë

10 Katër silurues 302(Patrioti) me tonazh skrap, alumin 25 tonë

11 Katër silurues 303 (Delfini) me tonazh skrap, alumin 25 tonë

12 Katër silurues 306 (Çeliku) me tonazh skrap, alumin 25 tonë

13 Katër silurues 307 (Luftetari) me tonazh skrap, alumin 14 tonë

14 Katër silurues 308 (Lavdia) me tonazh skrap, alumin 14 tonë

15 Katër silurues 309 (Heroi) me tonazh skrap, alumin 14 tonë

16 Katër silurues 310 (Trimi) me tonazh skrap, alumin 14 tonë

17 Katër silurues 311 (Fitimtari) me tonazh skrap, alumin 14 tonë

18 Katër silurues 312 (Shigjeta) me tonazh skrap, alumin 14 tonë

19 Katër silurues 401 (Furtuna) me tonazh skrap, alumin 25 tonë

20 Katër silurues 402 (Bubullima) me tonazh skrap, alumin 25 tonë

21 Katër silurues 405 (Rrebeshi) me tonazh skrap, alumin 25 tonë

22 Anije karikuese (Oriku) me tonazh skrap, çeliqe 350 tonë

23 Çisterno nafte 251 (Ceriku) me tonazh skrap, çeliqe 200 tonë

24 Çisterno nafte 324 (Patosi) me tonazh skrap, çeliqe 400 tonë

25 Rimork detar 253 (M. Ulqinaku) me tonazh skrap, çeliqe 150 tonë
26 Rimorkiator detar =(S.Frasheri) me tonazh skrap, çeliqe 200 tonë
27 Minaheqesë e vogël 223 (Vlora) me tonazh skrap, çeliqe 100 tonë
28 Minaheqesë e vogël 224 (Saranda) me tonazh skrap, çeliqe 100 tonë
29 Minaheqesë e vogël 226 (Lezha) me tonazh skrap, çeliqe 100 tonë
30 Minaheqesë e vogël 228(Himara) me tonazh skrap, çeliqe 100 tonë
31 Gjuajtës detar i madh 323 (Buna) me tonazh skrap, çeliqe 250 tonë
32 Anije pasagjere (22 Tetori) me tonazh skrap, çeliqe 200 tonë

33 Anije transporti (Shkumbini) me tonazh skrap, çeliqe 160 tonë

34 Silur kapëse 345(Joni) me tonazh skrap, çeliqe 60 tonë

35 Motoskaf M20 me tonazh skrap, çeliqe 10 tonë

36 Agregatë e pajisje të dala jashtë përdorimit me tonazh skrap, çeliqe 400 tonë
Ky lajm është publikuar: 04/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›