E Diel, 1 Nëntor 2026

Lala: Vendi i 4-t, objektivi ynë më real për Euro 2012

Mesfushori: Kualifikimi për në Botëror apo Europian? Unë nuk e arrita dot, shpresoj ta arrijnë të tjerët

I ka munguar Kombëtares që prej rreth një viti. Ka qenë i pranishëm në sfidën e 28 marsit 2009, ku kemi humbur 0-1 ndaj Hungarisë në “Qemal Stafa”. Por tani ka ardhur momenti i rikthimit. Ky është Altin Lala. Tani është ai kapiteni dhe i takon të flasë me këmbë në tokë, prandaj është konkret në ato që thotë. Konfirmon se dëshira për të parë Shqipërinë të kualifikuar në një kompeticion ndërkombëtar është e madhe, por kërkon të tregohet realist kur nënvizon vendin e katërt si objektivin e vërtetë të Kombëtares në eliminatoret tek Euro 2012. Megjithatë, për momentin mendja e tij është te ndeshja me Irlandën e Veriut, e cila shënon edhe rikthimin e tij në gjirin e kuqezinjve. “Gëzohem që jam pas një kohe të gjatë me skuadrën, pohon Lala. Atmosfera natyrisht është e mirë. Ambienti është shumë pozitiv dhe shokët e tjerë të skuadrës po kalojnë një periudhë të mirë. Unë vetë kënaqem që jam sërish pjesë e këtij grupi”. E ka vuajtur shumë kohën e dëmtimit dhe ka qenë i detyruar të ndjekë të gjitha ndeshjet e Kombëtares nga ekrani i televizorit apo nga tribuna. Por kishte premtuar se në momentin e parë që do të ndihej mirë, do të vihej në dispozicion të përfaqësues, e cila zë një pjesë të rëndësishme në karrierën e tij të gjatë. “Unë kam biseduar me trajnerin, i cili ka ardhur të më takojë në Hanover dhe i kam treguar edhe atij gatishmërinë time. Në rastin kur unë aktivizohem, jam mirë nga ana fizike, atëherë pse të mos grumbullohem edhe me Kombëtaren, natyrisht”. Ka luajtur 70 ndeshje për kuqezinjtë dhe ka shënuar 3 gola, por qëllimi mbetet i njëjtë: të ndihmojë skuadrën të ecë përpara. “Unë e shikoj këtë rast si një mundësi të mirë për të ndihmuar edhe përfaqësuesen. Natyrisht pastaj që secili lojtar që luan për Kombëtaren e bën me krenari një gjë të tillë. Ndikon edhe dashuria për këtë sport, që ta çojmë sa më përpara”, sqaron ai. Për të, ky ndoshta do të jetë edhe edicioni i fundit me Kombëtaren, duke pasur parasysh edhe moshën. Ndërsa rrëfen se ka pasur një ëndërr të madhe, për të cilën i vjen keq, sepse i duhet ta braktisë pa e realizuar: kualifikimin e Shqipërisë në një kompeticion të madh. “ëndrra ime ka qenë gjithmonë që të avancojmë një vazo përpara. Edhe fakti që kam synuar ta çojmë skuadrën një vazo më përpara dhe objektivi ynë ka qenë që lojtarët, të cilët do të vijnë më vonë, edhe ai grup që do të jetë më vonë, ta kenë sa më të lehtë të arrijnë këtë qëllim. Natyrisht që ëndrra ime edhe si tifoz do të ishte të shikoj një Kampionat Botëror apo Europian, ku edhe Shqipëria të ishte e pranishme”, pohon Lala. Grupin e Shqipërisë në eliminatore e konsideron të fortë: “Franca është favorite dhe Rumania e Bosnja. Edhe Bjellorusia nuk është ekip i keq. Për ne do të ishte sukses i madh nëse do të linim dy skuadra prapa. Dëshira do të ishte vendi i parë, por nuk do të ishte realiste. Më mirë të mos ëndërrojmë kot. Që të jemi realistë, objektivi ynë duhet të jetë lënia e dy skuadrave pas”, përfundon kapiteni kuqezi.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›