Dëmtim në aduktorë, Cana në dyshim 11-shja, peng i rikuperimit të tij
Dëmtimi i Lorik Canës në aduktorë mban peng edhe përcaktimin e formacionit të Shqipërisë për ndeshjen e sotme ndaj Irlandës së Veriut. Trajneri Kuzhe pritet ta bëjë të ditur formacionin vetëm pak kohë para ndeshjes, kur edhe do të ketë një ide më të qartë rreth gjendjes së mesfushorit të Sandërlendit. Ylli kosovar i Shqipërisë, i cili është edhe futbollisti më i shtrenjtë kuqezi dhe i vetmi që luan në Premier League, ka ardhur i dëmtuar në përfaqësuese. Problemet në aduktorë për të lindën gjatë ndeshjes së të dielës, ku skuadra e tij, Sandërlendi, luante përballë Fulhemit 0-0. Gjendjen jo të mirë të Canës e konfirmoi edhe vetë trajneri Josip Kuzhe, i cili la të kuptohet se mesfushori kosovar rrezikon seriozisht mosaktivizimin në ndeshjen e sotme. Tekniku kroat ka thënë se “kemi një problem të vogël me Canën, i cili është i dëmtuar. Do të presim deri në sekondën e fundit dhe më pas do të japim një përgjigje përfundimtare, nëse ai do të luajë apo jo kundër Irlandës së Veriut”. Mungesa e Canës është një dhimbje kokë për Kuzhenë, i cili tashmë i ka në kokë dy formacione: një me Canën dhe një pa të. Një gjë është e sigurt, trajneri ka përzgjedhur modulin 4-2-3-1 për të përballuar kundërshtarin e sotëm. Në portë do të rikthehet Arjan Beqaj. Portieri veteran nuk luan me Kombëtaren që prej barazimit 0-0 në “Braga” përballë Portugalisë më 15 tetor 2008. Ka qenë i grumbulluar në mars 2009 për Hungarinë, por u dëmtua në shpatull. Versioni më optimist rreth gjendjes së Canës do të bënte që ai bashkë me çurin të aktivizoheshin në qendër të mbrojtjes, ndërsa Dallku në të djathtë dhe Vangjeli në të majtë. Nëse mesfushori i Sandërlendit nuk ia del, atëherë vendin e tij në qendër të mbrojtjes do ta marrë Dallku dhe në vend të tij në të djathtë do të hyjë Lila. Lala do të rreshtohet i pari në mesfushë pak para mbrojtjes. Bulku në qendër dhe Duro e Agolli do të formojnë krahët. Skela do të jetë më i avancuar, në mbështetje të sulmuesit të vetëm, Bogdanit, i cili ka fituar konkurrencën me Salihin dhe Kapllanin. Vendimi për aktivizimin e sulmuesit të Kievos, Kuzhe e ka marrë në bazë të skemës 4-2-3-1, e cila propozon një sulmues me peshë, për të bërë repartin i vetëm. Në një analizë të mbajtur dje paradite, trajneri ka shfaqur shqetësim për periudhën e gjatë të Kombëtares pa aktivitet. Distanca mes kësaj ndeshjeje dhe asaj të fundit të Kombëtares (e cila daton më 14 nëntor 2009 kundër Estonisë 0-0) numëron rreth katër muaj pa u grumbulluar. Po ashtu, e njëjta gjë vlen edhe për të ardhmen: sipas kalendarit zyrtar të botuar nga FIFA, data tjetër e lirë për miqësore, kur edhe lojtarët kuqezinj do të vihen në dispozicion të trajnerit Josip Kuzhe, është pas më shumë se 5 muajsh, pikërisht 11 gushti 2010.
#