E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala beson te surpriza

Altin Lala beson te forca e përfaqësueses së Shqipërisë. Kapiteni kuqezi beson se Shqipëria mund të shkaktojë surprizën e radhës, duke fituar 6 pikë të plota nga dy sfidat eliminatore të Botërorit 2010.

Të shtunën skuadra e drejtuar nga Ari Han luan përballë Hungarisë në stadiumin e jashtëzakonshëm të Budapestit, “Ferenc Pushkash”, ndërsa katër ditë më vonë ata luajnë në Portugali.

Pas barazimit me Suedinë dhe fitoren bindëse kundër Maltës (të dyja ndeshjet janë zhvilluar në Tiranë), për herë të parë në histori Kombëtarja kryeson një grup eliminator në evenimentin më të rëndësishëm botëror.

Megjithatë, sfidat e radhës janë shumë të vështira. Kjo jo vetëm prej faktit se luhen në fushën kundërshtare, por edhe sepse fillimisht luhet me një rival direkt për vendin e katërt, ndërsa më pas vjen përballja me skuadrën më të kuotuar për të fituar grupin.

Megjithatë, kapiteni shqiptar nuk trembet, madje guxon të mendojë pikët maksimale. “Në dy ndeshjet e ardhshme mund të llogarisim edhe fitimin e 6 pikëve”, ka deklaruar Lala për tabloidin gjerman, “Bild”.

Sfida e së shtunës do ta vendosë mesfushorin shtatshkurtër kundër shokut të tij të skuadrës te Hanoveri, Szhabolks Huszhti. 32-vjeçari tregon se sfida eliminatore ka qenë tema e ditës ndërmjet tij dhe hungarezit.

“Për këtë ndeshje kemi disa ditë që diskutojmë dhe secili nga ne shpreh besimin se skuadra e tij do të fitojë”, pohoi futbollisti shtatshkurtër. Ai konfirmoi edhe vendosjen e një basti, i cili do të shlyhet kur të përfundojnë impenjimet ndërkombëtare dhe të takohen te klubi i Bundesligës gjermane.

Ndërkohë, në mesjavën e ardhshme, Kombëtarja shqiptare do të provojë forcat me favoriten e Grupit 1, Portugalinë. Një pikë kundër ekipit të udhëhequr nga superylli i futbollit botëror, Kristiano Ronaldo, do të ishte një surprizë e jashtëzakonshme, por Lala mendon për më shumë.

“Në futboll gjithçka është e mundur”, theksoi Lala dhe shton duke qeshur: “Ndërmjet Huszhtit dhe Ronaldos nuk ka shumë dallim”.

Stërvitja

Më në fund me kontingjent të plotë, pas ardhjes së Telit dhe Hykës, Kombëtarja ka filluar stërvitjen me dy seanca në ditë.

Lajmet që vijnë nga Budapesti janë mjaft pozitive, mbi të gjitha për sa u përket dëmtimeve. Debatik Curri nuk ka më dhimbje pas një goditjeje që kishte marrë në Ukrainë, ndërsa Klodian Duro ka filluar të stërvitet pjesërisht me grupin.

Elvin Beqiri dhe Hamdi Salihi punuan të diferencuar: për mbrojtësin mendohet se rikuperimi do të vijë në kohë, ndërsa për sulmuesin situata është disi më problematike.

Ndërkohë, burime zyrtare të FSHF-së kanë hedhur kategorikisht poshtë spekulimet se Lorik Cana është dëmtuar dhe u largua nga stërvitje. “Loriku është lojtari më në formë i skuadrës dhe nuk është e vërtetë që është dëmtuar”, pohuan zyrtarë të federatës.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›