E Diel, 1 Nëntor 2026

Han, besnik i skemës me një sulmues

Ari Han do t’u qëndrojë “besnik” ideve të tij dhe në sfidën e së shtunës me Hungarinë pritet të luajë sërish me skemën me një sulmues të mirëfilltë.

Për ndeshjen e orës 19:45 kundër formacionit të Ervin Kuman, 59-vjeçari do t’i besojë skuadrës që deri më tani ka grumbulluar 4 pikë.

Në portë do të jetë Arjan Beqaj, që me formën e treguar me qipriotët e Anorthosis është një siguri më shumë. Në mbrojtjen me katër lojtarë holandezi do të rreshtojë Armend Dallkun në të djathtë dhe Kristi Vangjelin në të majtë, ndërkohë partner i Debatik Currit në qendër do të jetë Lorik Cana ose Elvin Beqiri.

Kjo do të varet nga rikuperimi dhe forma që do të ketë mbrojtësi shkodran në ditët në vazhdim. Në qendër të mesfushës në pozicione difensive do të jenë Altin Lala dhe Ervin Bulku (ose Lorik Cana, nëse nuk aktivizohet si mbrojtës), ndërsa përpara tyre regjia do t’i besohet fantazisë së Ervin Skelës.

Reparti me pesë futbollistë do të plotësohet nga Klodian Duro dhe Jahmir Hyka nga krahët. Sulmues i vetëm do të jetë Erjon Bogdani, që në Tiranë hapi serinë e golave në fitoren që kuqezinjtë arritën me Maltën.

Ky rreshtim (i preferuar nga trajneri Han) shihet edhe si arma më efikase për të frenuar sulmet e shpejta nga krahët të hungarezëve.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbulimit të dy lojtarëve më të mirë të kundërshtarëve, Tamas Hajnal (mesfushori me tipare sulmuese i Borusias së Dortmundit) dhe Szhabolks Huszhti (mesfushorit të krahut që luan te Hanoveri).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›