E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja toksike, Tirana në rrezik nga ish-Kombinati i Autotratorëve

Studimi, UNDP klasfifikon 24 zona mjedisore të tejndotura në Shqipëri dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme

Rritja e ndotjes në mjedis ka sjellë lindjen e mutacioneve gjenetike në popullatë si edhe shtimin e fëmijëve asatmatikë

Do të jemi të rrezikuar për aq kohë sa nuk do të vlerësojmë katastrofën që kemi në pragun e derës. UNDP-ja, organizata ndërkombëtare për zhvillimin e programeve, ngre edhe njëherë në studimin e saj të fundit mbi mjedisin, rrezikun që i kanoset popullatës në Shqipëri, si pasojë e mbetjeve toksike, trashëgimi të së kaluarës. Organizata rendit në listën e saj mbi 24 hot-spote apo zona të nxehta mjedisore, midis të cilave në dhjetëshen e parë bën pjesë edhe zona e ish-Kombinatit të Autotraktorëve në Tiranë, ku monoksidi i karbonit është kthyer në fenomenin më shqetësues për banorët që popullojnë ambientet e gjigantit të rrënuar, relike e epokës komuniste. Në studim thuhet se ndotja në këtë zonë është aq e madhe sa ka prekur edhe Lumin e Tiranës që rrjedh në krah të ish-Kombinatit, si edhe ka tendenca serioze të kalojë edhe më poshtë në zonat më të populluara. Kjo për Tiranën, pasi situata në hot-spotet e tjera të shpërndara në të gjithë vendin është më e zezë. Mbeturina të para viteve ‘90 sulmojnë me helmin e tyre, jo vetëm mjedisin, florën, faunën, por edhe njerëzit, duke lënë te ta pasoja të pandreqshme në shëndet. Qytetet më të rëndësishme shqiptare kanë mbartur nga e kaluara asgjë me tepër sesa mbeturina të rrezikshme për jetën e njerëzve, era e së cilës vazhdon të kundërmojë në ato vende ku duket sikur ka rënë në gjumë. UNDP-ja numëron 10 qytete që kërkojnë ndërhyrje emergjente për pastrimin dhe rehabilitimin e tyre. Sipas koordinatores së programit të hot-spoteve, Klodiana Marika, zona e cila ka grumbulluar pikët maksimale dhe mban vendin e parë në renditje për nga ndotja historike është Kombinati Metalurgjik në Elbasan. “Shtrirja e ndotjes ka përmasa shumë të mëdha. Problemet që janë hasur kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e njeriut. Në Elbasan depozitat e mbetjeve që përmbajnë sulfuride, fosfate të ndryshme, të cilat jo vetëm kanë shkaktuar ndotjen e ajrit të qytetit, por edhe kanë shkaktuar probleme në frymëmarrjen e njerëzve”. Si rrjedhojë e lëndëve toksike, në zonën e Elbasanit janë vënë re shpesh, krahas problemeve në mushkëri, edhe mutacione të ndryshme gjenetike. Ndikimet në mjedis konstatohen më herët te fëmijët e porsalindur. Transmetimi i sëmundjeve të ardhura si pasojë e ndotjes nga nëna në embrion, ka sjellë që fëmijët të lindin me probleme në rrugët e frymëmarrjes, kryesisht me astmë.

Qyteti i dytë, me ndotje historike është Burreli. UNDP-ja kërkon që në fabrikën e përpunimit të Ferro-Kromit, të kryhet pastrimi i menjëhershëm i zonës, në të kundërt pasojat do të jenë të parikuperueshme. Në renditjen e qyteteve me përmbajtje të lartë toksike, nuk ka si të mungojë edhe Berati. Qenia e Fabrikës së Prodhimit të Baterive në këtë qytet, ka bërë që ajri të jetë tre herë më i ndotur se parametrat e lejuar nga Komuniteti Europian. I katërti ndër më të infektuarit është qyteti i vogël i Laçit. Paçka se Superfosfati ka kohë që është në gjumë, mbetjet toksike në këtë impiant kanë bërë të tyren, duke ndotur ujërat sipërfaqësorë, si edhe nëntokën. Në pesëshen e parë, studimi ndal shigjetën në ish-Kombinatin e Autotraktorëve në Tiranë, ku më të rrezikuarit janë banorët që jetojnë në ambientet e tij dhe jo vetëm ata, por edhe pjesa tjetër e kryeqytetit. Një tjetër zonë e nxehtë që përfshihet në emergjencat mjedisore është edhe miniera e bakrit në fshatin Rehovë, në qytetin e Korçës. Vetëm pak më në Juglindje ndodhet hot-spoti i 7-të më i rrezikshëm. Bëhet fjalë për Gurin e Kuq në qytetin e Pogradecit, mbetjet e përpunimit të Hekur-Nikelit të të cilit rrezikojnë Liqenin e Ohrit. Hedhja e mbetjeve në liqen ka bërë që uji të marrë ngjyrë të kuqe, duke i shkaktuar ndotje tej normave të lejuara. Ndotja, thuhet në studim, ka dëmtuar rëndë shumë nga speciet që gjallojnë në ujërat e liqenit. Të fundit në dhjetë zonat më të prekura, janë miniera e Bulqizës, shkrirësi i Ferro-Kromit në Elbasan, Kombinati i Tekstileve në Berat, si edhe ish-fabrika e plastikës në Lushnjë.

UNDP, këshillon tur pastrimi

Koordinatorja e UNDP-së për Shqipërinë, Klodiana Marika, shpjegon dhjetë zonat që kanë grumbulluar më shumë pikë, ku sipas ekspertëve që kanë kryer studimin, ato kanë nevojë për ndërhyrje, rehabilitim dhe kthimin normal të sipërfaqes. Një nga problemet që haset dhe që ende nuk ka një legjislacion të posaçëm është se si do veprohet me ato fabrika që janë të privatizuara dhe që ndotjen e kanë të trashëguar që para viteve ‘90. “Nuk është vendosur ende një rregull, që këto firma të marrin përsipër së bashku me organizatat dhe Ministrinë e Mjedisit të nisin një “tur” pastrimi. Këtij programi i duhet një përpjekje e dytë për të mbledhur fonde dhe të fillojë pastrimin e zonave që kanë më shumë nevojë”, - citon Marikaj

Mutacionet gjenetike, shtohet ndjeshëm numri i fëmijëve të prekur

Marrje mendsh, ulje dhe humbje oreksi, probleme në aparatin e frymëmarrjes, deri në ndikimin e drejtpërdrejtë në shëndetin e nënës shtatzënë. Këto janë problemet që hasen më së shumti, në një zonë e cila ka ndotje të theksuar të ambientit. U bënë vite që, njerëzit të cilët banojnë në zonat me ndotje të trashëguar, të kenë vazhdimisht probleme shëndetësore. Në qytetin e Elbasanit, i cili është në “top listën” për sa i përket ndotjes, problemet shëndetësore nga të cilat ankohen njerëzit, vijojnë me mosfunksionimin normal të rrugëve të frymëmarrjes për shkak të ajrit, i cili është i përbërë nga elementë dhe lëndë toksike tepër të dëmshme. Ndotja e trashëguar ndër vite ka sjellë dhe mutacione gjenetike te njerëzit, por edhe te kafshët. Janë të shumtat rastet ku personat që banojnë pranë këtyre zonave lindin fëmijë gjenetikisht të ndryshëm nga të tjerët, si për shembull rasti i fëmijës më fytyrë ujku. Pesticidet, të cilat kanë vite që qëndrojnë pranë zonave të banuara, ashtu të lira, në ajër, janë kthyer në ndotës të tij.

Qytetet me ndotje të trashëguar

Kompleksi metalurgjike në Elbasan

Fabrika e Ferro-Kromit në Burrel

Fabrika e prodhimit të Baterive në Berat

Fabrika e prodhimit të plehrave fosfatike në Laç

Fabrika e prodhimit të autotraktorëve, Tiranë

Miniera e Bakrit në Rehov

Mbetjet e Hekur Nikelit në Gurin e Kuq, Pogradec

Miniera e Bulqizës

Fabrika e Ferro-Kromit në Elbasan

Kombinati i Tekstileve Berat

Fabrika e plastikës në Lushnjë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›