E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala mund Bajernin, vendos kryevepra e hungarezit Huzshti

Hannover 96 regjistroi një fitore historike 1-0 kundër Bajernit të Munihut, por shqiptari Altin Lala hyri si zëvendësues vetëm në minutën e 90-të, duke zënë vendin e hungarezit Huzshti, një shok-rival në ndeshjen e 11 tetorit të Hungarisë kundër Shqipërisë.
Gjithsesi, Lala e të tjerë morën duartrokitjet frenetike të tifozëve hanoverianë, pasi mposhtën rekordmenët gjermanë, të cilët në sulm kishin dy lojtarë klasi si Klose e Toni, por në lojë nga pjesa e dytë patën edhe shërbimet e francezit Riberi.
Golin e vetëm të ndeshjes për formacionin e trajnerit Diter Heking, e shënoi pikërisht Huzshti me një goditje të lirë në minutën e 23-të. "Ein Traumtor" – "një gol ëndrash", ishte komenti i "Kicker", e këtij lojtari padyshim që duhet t'i ruhet shumë portieri i Kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj.
Kjo ishte humbja e dytë rresht për Bajernin, që po dëshmon se nën drejtimin e Klinsmanit punët nuk po i ecin mbarë, kur në gjashtë ndeshje ka fituar vetëm dy të tilla, dy barazime e dy humbje.
Hanover tashmë ndodhet në kuotën e 7 pikëve, duke u ngjitur në vendin e 12-të nga 18 ekipe që ka Bundesliga.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›