E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memelli: “Golat për familjen, Halilin e Slishkon”

Migen Memelli u shndërrua edhe një herë tjetër një golashënues përcaktues në marshimin e Tiranës. Sulmuesi me eksperiencë ndërkombëtare shënoi tre gola në fitoren bindëse 3-1 ndaj Flamurtarit, duke dëshmuar së është një ndër sulmuesit më në formë në Kategorinë Superiore.
"Golat më duhet t'i ndaj me të gjithë futbollistët e Tiranës, pasi një sulmues nuk e shënon kurrë golin i vetëm. Golin e parë më duhet ta ndaj me Kcirën, pasi krosimi erdhi pikërisht prej tij, ndërsa të dy të tjerët ishin asistët e Jetmirit (Sefës)", - tha për Albania-sport.com sulmuesi pogradecar, që me pesë golat e tij kryeson edhe renditjen e golashënuesve të Superligës, dy më shumë se Sinani, Dhembi (të dy të Vllaznisë) e Plaku (Dinamo).
"Jam me fat që jam pjesë e një skuadre të madhe si Tirana, pasi të gjithë futbollistët shqiptar e konsiderojnë si kulmin e karrierës së tyre në një klub shqiptar. Këpuca e artë? Cdo sulmues e ka në pikësynimin e tij, por mua si Migen më intereson më shumë titulli kampion si Tiranë", - shtoi sulmuesi i huazuar nga suedezët e Gais. Memelli ka dhe një dedikim të vecantë për golat, njëherësh edhe tripleta e parë për këtë sezon.
"Të parin e kam për familjen time, të dytin për presidentin Halili e të tretin për skuadrën e trajnerin Slishkovic". Në derbin kundër Partizanit shënoi një gol, i cili u anulua, teksa pas dy javësh Tirana do të përballet me Dinamon.
"Le të mendojmë fillimisht për transfertën e Bylisit, por e dëshiroj një gol kundër Dinamos, janë kampionët në fuqi, por unë besoj se do të jetë një tjetër sfidë e bukur për ne".
Tirana-Dinamo, ndeshja e javës së 7-të të Superligës ka një aromë të vecantë, pasi përballë do të jenë dy trajnerë kroatë, Slishkovic (Tirana) e Dalic (Dinamo), dy miq të ngushtë. Por një fakt është kokëfortë, Slishko e fitoi sfidën e parë kundër kroatit të Flamurtarit, Slavko Kovacic.
"Nuk e di të them se nëse ne jemi më të mirë se Dinamo, por nuk jemi ekip që lëshojmë lehtësisht pikë. Me grupin që kemi këtë sezon është e vështirë të na mundësh", - përfundon Migen Memelli, një nga blerjet efikase të presidentit të Tiranës, Refik Halili.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›