E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamaj: Blushi dhe Ruçi po bëjnë shoë mediatik

Autori i Lajmit: rED.

Deputeti socialist, Durim Lamaj, një nga mbështetësit e ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, reagoi dje në lidhje me deklaratat e deputetit Ben Blushi, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Lamaj, duke shprehur keqardhjen për deklarata të tilla, tha se “Blushi është akoma në dilemë se ndoshta është i besueshëm për kryetarin aktual të PS-së, Edi Rama, dhe kërkon ta bëjë këtë me shoë mediatik për çështjen e zgjedhjes së Presidentit”.Duke e konsideruar të vonuar reagimin e tij mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit, deputeti Lamaj theksoi se “ky veprim sjell tek ne të gjashtë, vetëm nënqeshje dhe nuk emocionon askënd”. “Me këtë shoë mediatik, Blushi kërkon të justifikojë dështimin e tij si kryetar i Grupit Parlamentar në zgjedhjen e Presidentit, duke ndenjur ditën me zotin Nano dhe natën me zotin Rama dhe, me sa duket, dilemat e natës kanë zënë vend më shumë”, tha më tej ai.“Shitblerjet nuk janë në moralin tonë, pasi ne bëmë një zgjedhje”, tha më tej zoti Lamaj, në përgjigje të akuzave të zotit Blushi, ndërsa shtoi se “këto janë në moralin e atyre që janë në dilemë sa herë që zgjidhet kryetari dhe të tillë ka plot në Kryesinë e re të PS-së, ku bën pjesë dhe Blushi”.
“Lidershipi i ri i PS-së kërkon të jetë pjesë e zgjedhjeve të tjera politike, si ajo e Prokurorit të Përgjithshëm, por siç duket, Rama nuk mund të jetë personi i duhur për zgjedhje të mëdha, për shkak të politikës së tij konfliktuale”, vijoi më tej zoti Lamaj. Përsa i përket deklaratës së Ruçit se "nëse do të kishte bërë atë që bënë 6 deputetët e majtë, do të zhvlerësonte besimin e tyre”, deputeti Lamaj tha se “në rast se zgjedhësit e Ruçit në Tepelenë do të kishin kërkuar një gjë të tillë, atëherë mund t i kujtoj Ruçit se të gjitha komunat dhe qyteti janë fituar nga Partia Demokratike në zgjedhjet e fundit. Zoti Ruçi nuk është tashmë përfaqësues i zgjedhësve”.
Ky lajm është publikuar: 29/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›